Turqi, gjendet “dekret” i lashtë mbi 2 mijë vjet

Në Turqinë veriperëndimore është gjetur një mbishkrim 2.200 vjeçar që përmban një dekret prej 22 vargjesh.

Dekreti është gjetur në qytetin antik Antandros, i themeluar në shekullin 10 para erës sonë në afërsi të qytetit Edremit të provincës Balıkesir, ndërsa sipas disa burimeve, daton madje nga viti 2.000 para erës sonë.

Gjetja është realizuar në kuadër të gërmimeve të kryesuara nga Ministria turke e Kulturës dhe Turizmit dhe Bashkia e Edremitit, ndërsa supozohet se ajo do të ofrojë të dhëna të reja historike.

Gürcan Polat, ligjërues në Universitetin Ege dhe njëherësh kryetar i grupit gërmues, tha për AA se gërmimet në këtë qytet antik romak vazhdojnë që nga viti 2001.

“Në gërmimet e këtij viti kishte një pus që kishim hapur më herët, që mendojmë se i përkiste një shtëpie. Mbi një kanal që ushqente atë pus vërejtëm një gur të kthyer mbrapsht dhe me cepa të drejtë. E ngremë atë dhe menduam se ishte një stelë. Unë më shumë mendoja se mund të jetë një stelë varresh. Kur e ngremë pamë se bëhej fjalë për një mbishkrim që përbëhej nga një dekret prej 22 vargjesh”, tha Polat.

Polat tha se në vende publike të qyteteve antike, siç ishte agora, vendoseshin dekrete që në përgjithësi përmbanin nene ligjesh, në mënyrë që të shiheshin nga secili.

“Ne konsideruam se edhe kjo ka qenë një pjesë e tyre”, theksoi ai, duke shtuar se guri i gjetur është dërguar deri tek ekipet e ekspertëve.

“Prej atje na erdhën informacione të përafërta, sepse ende nuk është studiuar në detaje. Ka disa pjesë që nuk mund të lexohen. Edhe ato duhet gjithashtu të lexohen. Por, ne e dimë përafërsisht se ajo i përket shekullit 2 para erës sonë”, tha Polat.

Ai rikujtoi se në atë periudhë Antandrosi ishte pjesë e Mbretërisë së Pergamonit.

“Ky dekret përmban një tekst i cili nderon dhe i jep priviligje një komandanti të dërguar në Antandros nga ana e mbretit të Pergamonit Eumenes dhe Attalos. Ai vendosej në një vend ku mund të shihej nga të gjithë. Mund të thuhet se ishte një praktikë që i ngjan gazetës zyrtare të ditëve të sotme”, tha Polat për AA./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi