Trump: Të martën do të jetë gati raporti mbi vrasjen e Khashoggit

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump deklaroi se të martën do të jetë gati raporti gjithëpërfshirës për rastin e vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi.

Trump i cili ka ndjekur punimet për luftën kundër zjarreve pyjore në Kaliforni, në qytetin Malibu iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Duke folur në lidhje me konkludimin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-ve (CIA) se princi saudit i kurorës, Muhammed bin Selman, ka dhënë urdhrin për vrasjen e gazetarit Khashoggi, Trump tha se “Ende nuk kanë bërë ndonjë vlerësim. Është shumë herët për këtë. Ky është një raport i papërfunduar”.

“Në dy ditët në vijim, ndoshta të hënën apo të martën do të marrim një raport të plotë dhe do të përfundojë plotësisht”, tha ai.

Ai tha se gjatë ditës ka biseduar me drejtoreshën e CIA-s. “Është e tmerrshme vrasja e një gazetari”, tha Trump.

Sipas tij, raporti për vrasjen e Khashoggit do të jetë i gatshëm të martën.

“Do të jap përgjigje për gjithë ndikimin e rastit dhe për atë se kush e ka shkaktuar apo kush e ka kryer atë”, tha Trump.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para udhëtimit të tij në Kaliforni, rreth lajmeve se CIA ka arritur në përfundim se princi saudit i kurorës, Muhammed bin Selman, ka dhënë urdhrin për vrasjen e gazetarit Khashoggi, Trump më parë ka thënë se ende nuk është informuar nga CIA në lidhje me këtë.

“Deri më tani neve na u tha se ai (Bin Selman) nuk ka rol në këtë rast. Do të presim se çfarë do të tregojnë”, pati thënë presidenti amerikan.

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert ka njoftuar se Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe me drejtoreshën e CIA-s Haspel.

Ajo ka potencuar se pretendimet se SHBA ka arritur në një rezultat përfundimtar në lidhje me vrasjen e Khashoggit janë të pavërteta./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi