Tri seanca cakton Kryesia për javën që vjen

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që vazhdimi i seancës plenare, të mbajtur më 8, 9 shkurt dhe 1 mars, me pikat e papërfunduara, të mbahet të martën, më 13 mars, në orën 10:00.

Ndërkaq, të mërkurën, më 14 mars, po në orën 10:00, vazhdon seanca e datës 2 mars dhe ajo e datës 8 mars.

Një ditë më pas, më 15 mars, Kuvendi mblidhet në një seancë të re, në të cilën do të shqyrtojë projektligje dhe çështje të tjera nga përgjegjësitë e tij kushtetuese.

Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të mbahet interpelanca e kryeministrit Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupi Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me vdekjen e dhunshme të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. Më pas, pritet të shqyrtohet Propozim-Programi i punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2018 dhe Projekt-Rregullorja e Kuvendit.

Seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për Projektin e Autostradës Kijevë-Zahaq.

Për herë të dytë, ndërkaq, pritet të shqyrtohen katër projektligje: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-214, Projektligji për infrastrukturën kritike, si dhe Projektligji mbi masat doganore për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.

Do të shqyrtohet, po ashtu, raporti i performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2015 dhe 2016, si dhe pritet të emërohen dy anëtarë të Komisionin për verifikim dhe vendosje të pronave, ndërsa një në Komisionit për kërkesa pronësore.

Kryesia ngarkoi komisionet përkatëse funksionale që të shqyrtojnë Projektligjin për amnistinë, i hartuar nga kryetari i GP të AAK-së, Ahmet Isufi, i mbështetur edhe nga 10 deputetë të tjerë, si dhe Projektligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i hartuar nga Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi