Tjetër azilant hero në Francë: kush është kosovari që shpëtoi gjashtë persona nga përmbytjet

Një azilant nga Kosova, Florim Shehu është kthyer në hero të banorëve të komunës së vogël të Changé-s, pasi shpëtoi dy familje nga përmbytjet që goditën rajonin e Mayenne-s në Francë gjatë fundjavës.

Shehu, i cili jeton prej tre vitesh në Francë, rrëfeu për Ouest France ngjarjen e së dielës në fshatin Change.

“Stuhia filloi rreth orës 16:00 të dielën. Unë shkova për të lëvizur makinën time sepse uji po rritej shumë shpejt, por në fund të rrugës pashë një grua që ishte bllokuar në shtëpinë e saj”, nis rrëfimin Shehu.

Pasi e pa gruan e mbërthyer brenda shtëpisë, Shehu braktisi veturën e tij Peugeot 205 – të cilën tentonte ta shpëtonte nga vërshimet – dhe shkoi për të shpëtuar fqinjët e tij në lagje.

Kur arriti në derën e shtëpisë, Florimi e kuptoi se gruaja e bllokuar brenda shtëpisë nuk ishte vetëm.

“Burri i saj kishte shkuar në një dyqan dhe ajo ishte me dy fëmijët e saj, duke përfshirë një foshnje 1-muajshe”, tregon Shehu, shkruan Insajderi.

Në kohën kur ai shpëtoi njerëzit e tjerë që ishin ngujuar në shtëpitë e tyre, vetura e Florimit ishte marrë nga uji dhe kishte përfunduar në lum.

Mirëpo aksioni i kosovarit nuk u ndal me kaq. Ai shpëtoi edhe tre fqinj të tij ukrainas të ngujuar në katin e parë të ndërtesës ku ai banon. Për shkak të nivelit të lartë të ujit, Florimi nuk mund ta hapte derën e apartamentit, kështu që ai u fut nga dritaret, prej nga edhe i nxori tre vetë që ishin ngujuar në këtë banesë.

Për vetëm një orë, raporton Ouest France, Florimi shpëtoi gjashtë vetë nga vërshimet.

“Është heroi ynë!”, deklaroi fqinja e tij, Dominique Roger, shtëpia e së cilës ka pësuar gjithashtu shumë dëme materiale.

Teksa jeton në Francë prej tri vitesh, Shehu ka aplikuar për azil në prefekturën e Mayenne-s. Ende nuk ka marrë përgjigje nga zyrtarët e shtetit francez, mirëpo pas këtij akti heroik, komuna është e gatshme ta ndihmojë atë.

Kryebashkiaku i komunës së vogël të Change-s, Denis Mouchel e premtoi një gjë të tillë.

“Ai preferoi t’i shpëtonte fqinjët e tij në vend të veturës së tij. Ne do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje për të”, ka premtuar kryebashkiaku Denis Mouchel.

Mediat franceze e kanë krahasuar kosovarin Florim Shehu me azilantin afrikan nga Mali, Mammadou Gassama, i cili dy javë më parë shpëtoi një fëmijë 4-vjeçar nga rënia prej një ballkoni të një ndërtese në Paris. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi