Tirana mirëpret edicionin e 21-të të panairit të librit

Është hapur me një ceremoni të organizuar në Pallatin e Kongreseve edicioni i 21-të i Panairit të Librit “Tirana 2018”, ku shtëpitë botuese për disa ditë me radhë do të prezantojnë për publikun botimet e tyre.

Në panairin që mbahet nga datat 14-18 nëntor dhe që organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë, merr pjesë dhe Instituti “Yunus Emre” në Tiranë, ku në stendën e tij do të prezantohen botimet e institutit, si dhe materiale promovuese për Turqinë.

Kryetari i Shoqatë së Botuesve Shqiptarë, Petri Ymeri, gjatë ceremonisë së hapjes tha se ky panair vjen në një kohë kur sfidat e leximit po përballen me një presion të vazhdueshëm.

“Anketimet e Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) dhe Shoqatës së Botuesve tregojnë që leximi në Shqipëri ka rënë në përmasa drastike. Nga të dhënat, për një vit një milion shqiptarë nuk kanë lexuar asnjë libër. Jemi në një situatë për të mos qenë të qetë që leximi në Shqipëri ka rënë në të tilla përmasa”, tha Ymeri.

Sipas tij ky është një shqetësim për të gjithë shoqërinë shqiptare dhe jo vetëm për njerëzit e librit dhe të kulturës. Lidhur me këtë shqetësim, Ymeri tha se ky panair i është kushtuar temës: “Si ndryshon njeriu kur lexon libra”.

“Pavarësisht shifrave, kemi një masë të madhe lexuesish që duam ta rrisim gjithnjë e më shumë e të përpiqemi ta rikuperojmë atë humbje të arritur në 25 vite dhe të mbledhim forcat e të punojmë së bashku për të përmirësuar këtë gjendje”, u shpreh Ymeri.

Duke folur për ecurinë e letërsisë shqipe, Ymeri tha se ajo ka marrë një ripërtëritje në 10-vjeçarin e fundit dhe kjo vihet re, sipas tij, edhe në përfshirjen e botuesve shqiptarë në projektet e Bashkimit Europian (BE).

Ai theksoi se Ministria e Kulturës e Shqipërisë ka një pikëvështrim të qartë për punën me librin, por shtoi se duhet të punojnë më shumë për rritjen e buxheteve dhe përqendrimin e tyre në bibliotekat lokale.

Në këtë panair marrin pjesë edhe shtëpitë botuese nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi etj. Panairi i Librit është një ngjarje e rëndësishme kulturore, ku marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese, si dhe institucione të ndryshme. Gjatë ditëve të panairit do të organizohen edhe aktivitete për promovimin e librave. /Rtv

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi