Tirana, 99 vite kryeqytet. Veliaj, mesazh për “deputetët dhe milionerët”

Kanë kaluar plot 99 vjet që kur Tirana u deklarua kryeqyteti i Shqipërisë, në 11 janar të vitit 1920, në Kongresin e Lushnjes, i cili njihet si kongresi i shpëtimit, por edhe i zhvillimit të shtetit shqiptar.

Ky 99-vjetor nuk ka kaluar pa ceremoni në sallën e Këshillit Bashkiak, ku kryetari Erion Veliaj ka përmendur transformimin e kryeqytetit të shqiptarëve.

“Tirana është sot kryeqyteti i denjë, modern, metropolitan i Shqipërisë, pavarësisht se ende nuk është perfekt. Realisht jemi në vitin e 99 të jetës së këtij kryeqyteti, që është krejt i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm nga asnjë qytet tjetër i trojeve shqiptare. Tirana po mbush shekullin e vet dhe sa ka filluar vitin e fundit të 100-vjetorit të parë. Dhe në këtë 100-vjetor kronologjia historike, lëvizja e kohërave dhe e ngjarjeve ka qënë të shumta, por ka mbetur e palëkundur simbolika qendërzuese dhe semantika përfaqësuese e Tiranës për të gjithë shqiptarët”, tha Veliaj.

Përveç ndryshimeve që ka pësuar kryeqyteti, Erion Veliaj lajmëroi edhe ndërtimin e dy terminaleve multimodale të transportit, atë të autobusëve tek kthesa e Kamzës dhe një tjetër në Farkë, tek rrethrrotullimi i Lundrës.

Përveçse një sipërfaqe trualli prej 85 mijë metër katrorë që qeveria ka kaluar në pronësi të bashkisë, do të shpronësohen edhe prona private. Ndonëse dikush ka shfaqur interes për të ndërtuar një qendër tregtare, kryetari i bashkisë i jep një përgjigjje të prerë: “Nuk më intereson fare sa deputet i pushtetshëm apo milioner i madh mund të jesh, interesi publik është mbi interesin privat dhe në zonën e Kthesës së Kamzës, pavarësisht çudirave, poshtërsive dhe falsifikimeve që janë bërë me tokat, do të jetë terminali i autobusëve të Tiranës dhe stacioni i trenit të qytetit të Tiranës. Duke thënë këtë, dua t’i garantoj edhe deputetët, edhe milionerët, kush ka letra prone, sigurisht do të shpronësohet sipas ligjeve që ka Republika e Shqipërisë dhe vendimeve të Bashkisë së Tiranës, ama Tirana nuk ka më kohë për të humbur”.

Veliaj u shpreh se sot Tirana ka rëndësi të madhe edhe në aspektin ekonomik pasi gjeneron 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi