TIKA mbështetje arsimit në Ohër

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Komuna e Ohirt nënshkruan një protokoll bashkëpunimi për projektimin dhe ndërtimin e ndërtesës së re të shkollës fillore “Vëllazërim-Bashkimi” në Ohër.

Në ceremoninë e nënshkrimit të organizuar në ndërtesën e komunës në qytetin e Ohrit morën pjesë kryetari i departamentit të Ballkanit dhe Evropës Lindore pranë TIKA-s Mahmut Çevik, kryetari i Komunës së Ohrit, Jovan Stojanoski, koordinatori i TIKA-s në Shkup, Aytekin Ayden, si dhe zyrtarë të tjerë.

Në fjalën e tij, Çevik rikujtoi se aktivitetet e TIKA-s në Maqedoni kanë nisur në kuadër të një protokolli të nënshkruar mes dy qeverive në vitin 2005.

Çevik tha se kjo agjenci që nga viti 2005 është munduar për ta mbështetur Maqedoninë në çdo fushë dhe sektor në përpjekjet e saj për zhvillim. Përmes projekteve të realizuara në fushën e arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës dhe zhvillimin e kapaciteteve institucionale, tha Çevik, TIKA ka shpenzuar një buxhet prej 70 milionë eurosh për zhvillimin e Maqedonisë.

Ai theksoi se TIKA ka 11 zyra në rajon së bashku me atë në Maqedoni, ndërsa bëri të ditur se deri më tani është shpenzuar buxhet në vlerë prej afër një miliard e 100 milionë eurosh në projektet që kanë pasur për qëllim mbështetjen e përpjekjeve zhvillimore të shteteve të Ballkanit dhe Evropës Lindore.

Çevik tha se krahas ndërtimit dhe riparimit të shkollave dhe trajnimeve, agjencia zhvillon aktivitete edhe për zhvillimin e kapaciteteve të mësimdhënësve.

“Deri më sot, në Maqedoni kemi realizuar 37 projekte në fushën e arsimit, për ndërtimin, riparimin dhe pajisjen e shkollave, si dhe trajnimin profesional, ndërsa me këto projekte, ne jemi përpjekur të rrisim cilësinë arsimore për 11.500 nxënës. Ndërkaq, ne kemi afër 800 projekte arsimore në Ballkan dhe Evropën Lindore, duke kontribuar që 200 mijë nxënës të pajisen me arsim cilësor”, u shpreh Çevik.

Çevik po ashtu theksoi se nuk shikojnë përkatësinë etnike në shkollat e bëra në tërë vendin dhe se ofrojnë shërbime duke e konsideruar secilin individ të barabartë.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Ohrit, Stojanoski, tha se do të kenë një shkollë moderne me të gjitha parakushtet dhe kushtet e nevojshme dhe një investim të madh.

Ai falënderoi TIKA-n për mbështetjet e ofruara.

“Sipas të gjitha të dhënave që posedojmë, ndërtimi dhe riparimi i fundit i një shkolle në rajonin tonë është realizuar në vitin 1980. Jemi të lumtur që pas 38 viteve, ne do të kemi një ndërtesë të re të shkollës. Është dhunti e veçantë që kjo është një shkollë që reflekton përbërjen multietnike dhe multifetare të Ohrit tonë”, tha Stojanoski.

Nga ana tjetër, koordinatori i TIKA-s në Shkup, Ayden theksoi se shkolla e re do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 5.845 metrash katrorë.

Një pjesë prej 738 metrash katrorë e ndërtesës së shkollës do të jetë sallë sportive, tha Ayden, duke shtuar se shkolla do të përfshijë 29 klasa, përfshirë dy klasa për trajnim special dhe dy klasa të nivelit parashkollor.

Siç u njoftua, ndërtimi i shkollës planifikohet të nisë në vitin e ardhshëm akademik./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi