Thaçi: Gjuriç është duke u përcjellë në pikën kufitare Kosovë-Serbi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas arrestimit të shefit të së ashtuquajturës Zyra për Kosovën Marko Gjuriç në Mitrovicën e Veriut, ka bërë thirrje për qetësi, derisa ka thënë se Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me ligjet dhe kompetencat e veta për këtë arrestim.

Në një komunikatë nga Presidenca thuhet se Thaçi lidhur me rastin është shprehur se, “Marko Gjuriç ka hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme. Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me kompetencat e veta, me profesionalizëm dhe në mbrojtje të rendit dhe ligjit në Kosovë”.

Presidenti Thaçi ka thënë se sapo është njoftuar nga organet kompetente dhe se Marko Gjuriç ka kaluar nëpër procedurën e rregullt të Prokurorisë dhe Gjyqësisë, si dhe që tani është duke u përcjellë nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ky rast nuk duhet të cenojë komunikimin që është vënë në mes Kosovës dhe Serbisë, dialogun në mes dy vendeve dhe përpjekjet për normalizim, për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe pajtim në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndryshe Ministria e Punëve të Jashtme nuk kishte dhënë leje për hyrje të Gjuriçit në Kosovë. Në lidhje me këtë ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Behgjet Pacolli ishte shprehur se deklaratat e Gjuriçit kanë nxitur urrejtje dhe pakënaqësi tek popullata shqiptare dhe se ai nuk mund të hyjë në Kosovë kur të dojë pa patur lejen e autoriteteve kosovare dhe duhet t’i respektojë normat, prandaj MPJ nuk ka mundur ta lejojë atë të hyjë në Kosovë./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi