Teatri, Veliaj takon arkitektët. Kërkon përballje të ekspertëve me aktorët

 

Në një kohë që artistët vijojnë protestën e tyre të përditshme kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, kreu i Bashkisë së Tiranës kërkon të dijë edhe mendimin e urbanistëve dhe arkitektëve, duke organizuar një dëgjesë publike me këta të fundit.

“Këtu nuk bëhet fjalë për të vendosur për projektin apo prishjen e teatrit. Është shumë e rëndësishme që kemi ulur tonet, duhet të flasim. Ajo që zbulova nga dëgjesa ishte se kishte më shumë konsensus seç mendoja. Nuk jam naiv, e di se kush është i lidhur me politikën, kush paguan foninë. Artistët janë një pjesë e rëndësishme, por asnjë prej tyre nuk ka diplomë inxhinierie”, tha Veliaj.

Dhë sipas arkitektëve, godina e Teatrit Kombëtar duhet shembur, pasi objekti nuk plotëson asnjë kusht teknik. Agron Hysenlliu, kreu i Institutit të Ndërtimit, u shpreh: “Objekti nuk plotëson kushtet. Nuk ka ambiente, është jashtë kushteve teknike, lë për të dëshiruar. Godina nuk ka dhoma zhveshjeje, as ku bëhet grimi. Objekti ka krijuar çarje, soletat janë me dërrasë të zakonshme”.

Madje, kreu i Institutit të Ndërtimit shkon më tej kur thotë se drejtorit Çuli i është kërkuar që të ndërpresë aktivitetin: “I kemi thënë drejtorit të ndërpresë aktivitetin. Kushtet teknike nuk na lejojnë që objekti të rikonstruktohet. Kushtet higjienike janë skandaloze, janë dy banjo për 600 persona. Rrjeti i ndriçimit është që nga vitet ‘70. Për ne teatri është jashtë çdo funksioni, ngrohja e ventilimi mungojnë. Duhet urgjentisht që të pezullohet aktiviteti, objekti është plotësisht i pabanueshëm”.

Ndërsa Shkëlqim Goxhaj, drejtor i Shërbimit Zjarrfikës deklaroi: “Janë bërë disa kontrolle në objektin e teatrit. Janë gjetur shumë shkelje që fatkeqësisht janë ende prezente. Është jashtë funksionit sistemi i mbrojtjes nga zjarri. Në godinën e teatrit nuk ka sistem që lajmëron për nisjen e zjarrit. Në një sallë me 600 persona duhen 6 dalje emergjence, janë vetëm 2. Në godinën e teatrit funksionojnë vetëm fikëset portative”.

Pas dëgjesës së parë me artistët javën e shkuar dhe dëgjesës me arkitektët dhe urbanistët sot, Erion Veliaj kërkon që gjatë ditëve në vijim të organizojë edhe një përballje, një bashkëbisedim të vetë artistëve me Institutin e Ndërtimit.

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi