“Të mbrohen interesat e Iranit nga marrëveshja bërthamore”

Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif tha se palët e marrëveshjes bërthamore në vend të premtimeve të paqarta duhet të ofrojnë zotime të zbatueshme.

Sipas lajmit të agjencisë studentore iraniane të lajmeve (ISNA) thuhet se Zarif, i cili ndodhet në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, për të marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të shteteve palë të marrëveshjes bërthamore, në një deklaratë për media ka folur në lidhje me takimet.

Ai tha se nuk është i qartë pozicioni i shteteve palë të marrëveshjes pas tërheqjes së SHBA-ve nga marrëveshja bërthamore. “Nga homologët e mi pres që të ofrojnë zotime të zbatueshme dhe të hapura në vend të atyre të mëdha dhe të paqarta”, tha Zarif.

Ministri iranian tha se nga shtetet tjera, palë të marrëveshjes, presin që t’i mbrojnë interesat e Iranit që dalin nga marrëveshja bërthamore.

Duke vënë në dukje se Washingtoni është tërhequr në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja, Zarif tha se sanksionet e rikthyera nga SHBA-të duhet të kompensohen nga shtetet tjera, palë të marrëveshjes.

Marrëveshja bërthamore është nënshkruar në korrik të vitit 2015 në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, mes Iranit dhe shteteve P5+1 (SHBA, Britania e Madhe, Kina, Franca, Rusia dhe Gjermania), ndërsa ishte referuar edhe si Plani i Përbashkët i Veprimit Gjithpërfshirës (JCPOA).

Presidenti amerikan, Donald Trump, më 8 maj deklaroi se SHBA-të tërhiqen nga marrëveshja bërthamore me Iranin, duke përmendur se sërish do të vendosë sanksione ndaj Iranit që u pezulluan në vitin 2015.

Ndërsa Irani dhe palët tjera të marrëveshjes bërthamore kanë potencuar qëndrimin për vazhdimin e marrëveshjes. Ministrat e Jashtëm që janë palë e marrëveshjes sot do të zhvillojnë takim në Vjenë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi