Tare shpalos objektivat e Lazios: Kemi skuadër për Champions

Drejtori Sportiv i Lazios, Igli Tare ka dhënë një intervistë për median gjermane Sport 1, ku ndër të tjera ka folur për skuadrën ku ai punon dhe ka shpalosur objektivat e bardhekaltërve, në sezonin që startoi fundjavën e kaluar.

Ndonëse Lazio debutoi me një humbje 1-2 në shtëpi ndaj Napolit, Tare beson te organika që trajneri Simone Inzaghi ka në dispozicion dhe premton se bardhekaltrit janë gati për një tjetër hap, ndonëse thekson se titulli mbetet një synim për sezonet e ardhshme.

“Kemi një organikë mjaft të mirë dhe mund të synojmë Ligën e Kampionëve pa problem. Nuk është një Lazio për titull kampion, por një vend në katërshen e parë është më se i arritshëm. Kemi arritur të ruajmë lojtarët më të mirë të sezonit të kaluar si Immobile, Luis Alberto dhe Milinkoviç-Saviç, ndërsa kemi afruar edhe një sërë futbollistësh të tjerë, që i shtojnë vlerat organikës. Jam i bindur që me punën e Inzaghit dhe të gjithëve bashkë, do të sigurojmë një vend në zonën Champions”, deklaroi njeriu i merkatos i Lazios.

Bardhekaltrit vijojnë punën për t’u përgatitur për transfertën e fundjavës ndaj Juventusit, ku një sezon më parë befasuan duke fituar me rezultatin 1-2. Edhe këtë herë, Simone Inzaghi beson se skuadra e tij mund të prodhojë një tjetër surprizë, duke i prishur debutimin në shtëpi, Cristiano Ronaldos./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi