Taksë private turizmit. Koncesionari në Portin e Sarandës takson naftën e jahteve

Qeveria ka dhënë një tjetër kontratë, e cila ngarkon taksë private mbi turizmin. Këtë herë bëhet fjalë për Portin e jahteve në Sarandë.

Përmes një vendimi të dy muajve më parë, Këshilli i Ministrave ia ka kaluar menaxhimin e Portit të jahteve në Sarandë për 20 vite një kompanie private, kundrejt pagesës simbolike “1 euro”. Kontrata është lidhur me kompaninë “Concord Investments”, e cila menjëherë ia ka kaluar atë për menaxhim shoqërisë “Homeport Albania”, një kompani e krijuar vetëm një muaj më parë.

Me marrjen e menaxhimit të portit, përveçse ka rritur me 6 herë tarifat e ankorimit të jahteve turistike në port, kompania “Homeport Albania” praktikisht ka vendosur edhe një taksë private mbi naftën me të cilën furnizohen jahtet e turistëve.

Përmes një letre të pak ditëve më parë, “Homeport Albania” ka njoftuar zyrtarisht kompanitë e naftës që furnizojnë jahtet në port se, nga tani do të paguajnë 0.06 euro për çdo litër naftë që shesin, ose ndryshe 85 dollarë për çdo ton naftë. Sipas kompanisë, në këtë tarifë janë të përfshira hyrja në port dhe shërbimet e tjera të pastrimit për shmangien e ndotjes.

Furnizimi i jahteve me karburant është një biznes i lidhur drejtpërdrejt me turizmin. Për vitin 2018, sipas kontratave të nënshkruara deri tani, kompanitë e naftës pritet të furnizojnë 45 mijë tonë karburant për jahtet që sjellin turistë në Shqipëri, përmes Portit të Sarandës. Kjo do të thotë se, vetëm përmes kësaj tarife, privati do të vjelë 3.8 milionë euro në vit, në një kohë që i gjithë investimi 20-vjeçar i parashikuar në port është pak më shumë se 4 milionë euro.

Kompanitë e naftës dhe agjencitë turistike thonë se pagesa që merr privati do të rrisë ndjeshëm kostot, duke dekurajuar ardhjen e turistëve në vend. Por, veç kësaj, ato ankohen se tarifa është e jashtëligjshme, pasi Kushtetuta përcakton se taksat në Republikën e Shqipërisë mund të vendosen vetëm me ligj, e në asnjë rast nga subjekte private që menaxhojnë asete publike.

Qeveria shqiptare ka ulur ndjeshëm taksat për hotelet dhe resortet, me qëllim që të stimulojë ardhjen e turistëve. Por, teksa ulen taksat që shkojnë në arkën publike të qytetarëve, vendosen taksa të cilat përfundojnë në llogari të privatëve, duke bërë që publiku të humbasë dy herë, si nga ulja e të ardhurave në buxhet, ashtu dhe nga dekurajimi i turistëve./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi