Taksa 100%, a i ka vendosur SHBA sanksione Haradinajt?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar sanksione ndaj qeverisë së Kosovës, nëse kjo e fundit nuk e heq taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.
Mirëpo, se çfarë sanksione saktësisht do të ndërmarrin SHBA-të ende nuk janë bërë të ditura.

Ndërsa rreth një muaj më parë, agjencia e lajmeve ‘Al Jazeera Balkans’, raportoi se kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj i është refuzuar viza amerikane. E një gjë të tillë nuk e mohuan zyrtarë të qeverisë së Kosovës.

Donjeta Gashi, zëdhënëse në qeveri i kishte thënë lajmi.net se kryeministri nuk ka marrë përgjigje zyrtare rreth vizës për në SHBA.

Arsyeja e vizitës së Haradinajt në Amerikë ishte pjesëmarrja në ‘Lutjet e Mëngjesit’, ceremoni kjo e organizuar nga administrata Trump. Por, Haradinaj nuk udhëtoi për në SHBA dhe as nuk mundi të marrë pjesë në këtë ceremoni, ndërsa për këtë nuk ka pasur asnjë sqarim nga zyra e kryeministrit.

Në lidhje me këtë lajmi.net ka kontaktuar me ambasadën amerikane në Prishtinë mirëpo të njëjtit nuk kanë dhënë detaje rreth kësaj çështje.

“Ambasada nuk komenton lidhur me rastet individuale të vizave për shkak të ligjeve tona të privatësisë së të dhënave”, kanë thënë zyrtarë të ambasadës.

Të pyetur edhe rreth vendosjes së sanksioneve të SHBA-së ndaj zyrtarëve të institucioneve kosovare, ambasada nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.

Ndryshe, pjesë e ceremonisë së ‘Lutjeve të Mëngjesit’ në SHBA, ishte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi si bartës i institucioneve. Së bashku me Thaçin ishin edhe tre deputetë të Kuvendit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi