Tajani: “Stabiliteti në Ballkan është propocional me stabilitetin e Europës”

Presidenti i Parlamentit Europian Antonio Tajani tha se çështja e refugjatëve përbën problem të madh për Bashkimin Europian, duke theksuar se stabiliteti në Ballkan është drejtpërdrejt propocional me stabilitetin e Europës.

Në një konferencë për shtyp pas takimit të zhvilluar me kancelarin e Austrisë Sebastian Kurz në kryeqytetin Vjenë, kreu parlamentit evropian Tajani tha se problemi i refugjatëve duke u thelluar ndikon në të ardhmen e BE-së.

“Duhet të bëjmë shumë gjëra në Afrikë për të ndaluar rrjedhën e refugjatëve. Jo vetëm në muajt e ardhshëm, por përgjatë viteve të ardhshme duhet të bëjmë përpjekje serioze për sigurimin e stabilitetit politik dhe social në Afrikë”, u shpreh Tajani.

“Nuk duam të ndërtojmë kampe përqendrimi”

Po ashtu, ai tha se mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE-së është aq e rëndësishme, saqë nuk mund të injorohet, dhe se duhet marrë një vendim konkret për t’i kënaqur qytetarët e vendeve anëtare.

Ai vlerësoi propozimin për formimin e “qendrave” për të mbajtur refugjatët në vendet e treta jashtë BE-së.

“Për mendimin tim, këto qendra të sigurisë duhet t’i hapim nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara. Duke punuar së bashku, OKB dhe BE, mund të funksionalizojmë ligje që respektojnë të drejtat e njeriut. Sigurisht, nuk duam të ndërtojmë kampe përqendrimi”, theksoi Tajani.

Do të rriten kontrollet

Ndërkaq, kancelari austriak Kurz theksoi se përgjatë presidencës së BE-së, Austria do të ketë si objektiv parësor rritjen e kontrolleve në kufijtë e jashtëm të BE-së dhe marrjen nën kontroll të rrjedhës së emigrantëve.

Ai tha se do të punojnë për të forcuar mirëqenien dhe sistemin social brenda BE-së, ndërsa paralajmëroi përpjekje për të ruajtur stabilitetin në rajon dhe në vendet fqinje dhe për të garantuar siguri më të madhe për Europën.

Ndryshe, vendet anëtare të BE-së si Italia, Danimarka dhe Austria janë duke kërkuar krijimin e “qendrave” në vendet e treta jashtë BE-së për zgjidhjen e problemit të refugjatëve.

Vendet kundër refugjatëve mbështesin krijimin e qendrave në disa vende të Ballkanit dhe Afrikës për të parandaluar ardhjen e refugjatëve në BE./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi