Tabaku: Diktatura e propagandës nuk e do arsimin

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, përmes një çpostimi në rrjetin social “Facebook” shprehet se qeveria Rama e ka shpallur armik dijen dhe arsimin.

“Në një kohë kur vendet e rajonit po investojnë në fushën e arsimit dhe zhvillimit arsimor, qeveria Rama e ka shpallur armik dijen dhe arsimin. Tashmë është praktikë e qeverisë Rama që të buxhetojë shumë herë më pak se sa qeveritë e shkuara për arsimin”, shkruan ajo.

Ndryshe nga dy vite më parë, tabaku paralajmëron se vlerësimi i PISA do të jetë negativ

“Para dy vjetëve qeveria e Rilindjes Rama rrihte gjoksin për arritjet e qeverisë demokratike që u vlerësua edhe nga sistemi PISA. Por është shumë e qartë që me mungesën e mësuesve cilësorë, emërimeve politike dhe mungesës së meritokracisë shoqëruar me kushtet e turpshme infrastrukturore, vlerësimi i PISA do të jetë negativ për rinjtë e shkolluar në periudhën e errësirës Rama 1 dhe Rama 2”, shton Tabaku.

Teksa vlerëson në gjendje të mjeruar arsimin parauniversitar në Shqipëri, ajo thekson se gjendja në ciklin e lartë arsimor është edhe më lebetitëse.

“Kryeministri i cili përpiqet të shfaqë kulturën dhe civilizimin e tij për të mbuluar dështimin e tij në arsimin e lartë, nuk mund të fshehë dështimin e turpshëm të Reformës në Arsim. Një reformë që mbylli 130 shkolla, 20 degë dhe që shtyu të rinjtë të largohen”, shkruan Tabaku, duke shtuar se edhe ato pak studentë që vijnë në universitetet shtetërore përballen me tarifa marramendëse që rriten për vit ndërsa familjet shqiptare varfërohen për vit.

Një tjetër abuzim sipas saj është edhe rritja e çmimeve të librave. “Kushtojnë 7.3% më shumë se sa një vit më parë dhe sipas të dhënave të INSTAT gjithnjë e më shumë familje shqiptare heqin bukën e gojës për të mbajtur në shkolla fëmijët e tyre. Oligarkët e qeverisë ndërkohë fitojnë miliona euro nga tenderat, koncesionet, PPP-të dhe gjithfarëlloj shpikjesh ndërsa qytetarët e vendit u mohohet e drejta bazë e arsimit. Shqiptarët varfërohen, lihen pa shkollë dhe në injorancë të thellë ndërsa buxheti i shtetit trajtohet si tepsia personale e mazhorancës”./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi