Syla: Hapja e debatit për dialogun, sado me çoroditje, është sërish e mirë

Ismail Syla, këshilltar politik i presidentit Thaçi, përmes një statusi në Facebook, ka folur për debatin publik për dialogun me Serbinë, teksa thekson se pavarësisht përçarjeve, shpërfaqjen e inateve, dyshimeve, megjithatë ky debat e ka një anë të vlefshme.

“Po zien debati, po vlon. Po dalin në shesh dyshime, inate, dilema, kontestime. Po del harpallaku i shoqërisë sonë. Hapja e një debati të tillë, sado me çoroditje, është e mirë. Sepse kemi nevojë të thërrasim e bërtasim”, ka shkruar Syla në Facebook.

Ky është statusi i plotë i tij:

LODHJA

Filmi me temë nga Lufta e Parë Botërore (Lufta e Madhe) “Kali i luftës” (War horse) me regji të Steven Spielberg tregon një moment kur kali, si kafsha që është shfrytëzuar më së shumti nga ushtria dhe më e dobishmja për njerëzimin, para shpikjes së makinave, mbetet i mbërthyer në tela, në mes të dy palëve luftuese (francezëve dhe gjermanëve). Kërkohet armëpushim, që të shpëtohet kali. Dhe për ta liruar sa më shpejt pala anglo franceze kërkon gërshërë (darë) hekuri. Pa u ngritur nga llogoret pala tjetër i hedh jo një po disa gërshërë. Një metaforë e bukur, treguese e ngopjes nga përdorimi i armëve, i ngopjes nga lufta shumëvjeçare.

Ky motiv më erdhi në mendje pikërisht në kohën kur ka plasur debati publik për dialogun me Serbinë, për krijimin e delegacionit të Kosovës, për format e marrëveshjes me Serbinë, për ndarje, shkëmbim territoresh, bashkëngjitje, për demarkacion, asociacion etj. Pavarësisht se këto tema po tregojnë një skenë politike të ndarë e të përçarë, ka një gjë të dobishme vetvetiu. Po zien debati, po vlon. Po dalin në shesh dyshime, inate, dilema, kontestime. Po del harpallaku i shoqërisë sonë. Hapja e një debati të tillë, sado me çoroditje, është e mirë. Sepse kemi nevojë të thërrasim e bërtasim. Deri sa të lodhemi. Si ushtarët e palëve kundërshtare në llogoret e Luftës së Parë Botërore./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi