“Superklasikja” latine, sekretet e një finaleje historike

Mungojnë gjithnjë e më pak orë nga “Superklasikja” e shekullit në futbollin e Amerikës Latine, që do të vendosë jo vetëm kush është skuadra më e fortë e Buenos Airesit, por edhe ajo që do të dominojë kontinentin.

Finalja e Kupës Libertadores këtë fundjavë mes River Plate dhe Boca Juniors premton thuajse gjithçka. Tension, luftë brenda dhe jashtë fushës, detaje pikante dhe emocione që kalojnë nga një gjeneratë në tjetrën.

Do të ketë një mundësi unike në finalen e parë nga dy të tilla, që një prej trajnerëve të marrë revanshin, ndoshta ai që ka arritur të ngrejë trofeun si futbollist, e që tani i mungon ai nga pankina. Marcelo Gallardo e ka arritur këtë me “Milionarios”, kur luante vetë në 1996 dhe kur ishte në pankinë në 2015.

Këtë sukses historik shpreson se do ta arrijë dhe trajneri i Boca, Guillermo Barros Schelotto, një nga protagonistët e epopesë “azul” dhe 4 herë fitues i Libertadores si lojtar. Trajneri i Boca do të jetë i skualifikuar në finalen e parë, por do të ketë vëllain e tij binjak në stol, për të ndjerë të njëjta emocione.

Të dy skuadrat argjentinase kanë eliminuar rivalë brazilianë në gjysmëfinale, një shenjë pozitive për kombin që jeton me futbollin, pas dështimit në Botërorin e kësaj vere. Biletat kanë firuar me kohë, por çmimet në tregun e zi kanë arritur në shifra të çmendura.

Në Ebay ka bileta që shiten me 4 000 euro, ndërsa ata që do duan të kursejnë, nëse kjo logjikë ekziston, mund të marrin biletat më të lira me 1200 euro.

Kaq do të kushtojë prania e vonë në stadiumin “Bombonera” të shtunën në orën 21:00./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi