Sulm me bombë në Pakistan

Së paku një person ka humbur jetën, ndërsa gjashtë të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi vetëvrasës me bombë, i cili sot në mëngjes ndodhi në veriperëndim të Pakistanit.

Objektiv i sulmit ishte një tubim parazgjedhor në krahinën Khyber Pakhunkhwa.

“Një vetëvrasës me bombë aktivizoi bombën që mbante në vete afër karvanit të kandidatit parazgjedhor Ikramullah Gandaput, i cili shkoi në tubimin parazgjedhor në Looni Darbar”, tha oficeri policor Zahoor Afridi.

I plagosuri Gandaput, një ish-ministër pakistanez, është kandidat për të hyrë në parlament nga radhët e partisë radikale djathtiste Pakistan Tahrik-e-Isnaf.

Vozitësi i automobilit të Gandaput ka vdekur, ndërsa janë plagosur edhe së paku pesë persona.

Paralelisht me këtë, edhe një ish-ministër dhe kandidat në zgjedhjet e ardhshme Akram Khan Durrani sot në mëngjes iu shmang një tentimi të ngjashëm për atentat në Bannu, po ashtu në krahinën Khyber Pakhtunkhwa.

Askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet, ndërsa policia akuzon lëvizjen militante talebane, e cila tashmë ka marrë përgjegjësinë për tre sulmet e fundit me bomba në tubimet parazgjedhore në Pakistan.

Sulmi më i madh me bombë ndodhi më 13 korrik kur në Baloçistan u vranë së paku 140 persona, ndërsa u plagosën 150 të tjerë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi