Subvencionet për bujqësinë, shpjegimi për kushtet që përjashtuan fermerët

 

 

“Na thonë që një dynym nuk subvencionohet, por vetëm nga 5 dynym e lartë, por ne aq nuk kemi toka”.

Ky është një nga kriteret që përjashton mbi 90 përqind e fermerëve në Shqipëri nga përfitimi i subvencioneve nga qeveria për të zhvilluar bujqësinë. Dhe siç thonë vetë fermerët do përfitojnë vetëm të mëdhenjtë. Zëvendësministri i Bujqësisë tregon se përse është vendosur ky kriter përjashtues.

“Ka të bëjë me konsolidimin e tokës. Konsolidimi vjen vetëm duke avantazhuar ose subvencionuar sipërfaqet e tokës që janë mbi atë mesataren e një pjese të madhe fermerësh që shkon që nga periudha e ndarjes së tokës 3 dynym për kokë në vitin 92-93”, shprehet Ilir Halilaj, zv/ministër i Bujqësisë.

Top Channel e pyeti zëvendësministrin e Bujqësisë për këtë kriter që përjashton pjesën dërrmuese të fermerëve që kanë sera.

“Ka të bëjë me rendimentet e prodhimit, ka të bëjë me ajrosjen e ambienteve të serave, ka të bëjë me fortësinë e strukturës që e mbron nga elementët e jashtëm siç janë erërat e forta apo breshëri”, thotë Halilaj.

Sipas ministrisë së Bujqësisë, fermerët mund të përfitonin subvencione duke aplikuar si të bashkuar këtë vit. Por edhe pse shumë prej tyre mbeten jashtë skemës, kriteret që i lanë ata jashtë do të mbeten njësoj edhe për vitin e ardhshëm.

“Këto pragje do rrinë të tilla edhe në vazhdim. Incentivat për t’u bashkuar janë aty, kostot për të mos u bashkuar janë po sërish aty. Gjithmonë do ketë një balancë midis fermerëve që të vlerësojnë atë që përfitojnë nga bashkimi ndaj asaj që humbasin duke mos e kryer këtë bashkim. Ne mendojmë që me kohën kjo formulë bashkimi mes fermerëve do gjejë vendin e vetë dhe do krijojë më tepër gravitet tek aplikantët”, thotë zv/ministri i Bujqësisë.

Në katër vite do shpërndahen 97 milionë euro që bujqësia shqiptare të arrijë standardet e Bashkimit Europian, një vit më parë përfituan vetëm 2 përqind. Këtë vit fituesit nuk kanë dalë, por në sistem aplikuan vetëm 3 përqind e fermerëve të cilët kanë një sipërfaqe të vogël toke në krahasim me numrin e madh të fermerëve të vegjël që nuk do përfitojnë fonde nga qeveria. Ndërsa pritet shpallja emrave që do përfitojnë, pyetja është se sa ky program po plotëson synimet e tij.

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi