Studentët: Duam mësim! Pengohemi në hyrje të universitetit

Një sondazh në Fakultetin e Ekonomisë, ku kanë marrë pjesë 80% e studentëve, tregon planin e protestës më tej.

“70% e studentëve të FEUT janë shprehur pro vazhdimit të bojkotit e ngujimit dhe 30% janë shprehur për fillimin e procesit mësimor. Pra, edhe për këtë javë Fakulteti i Ekonomisë nuk do të zhvillojë mësim”, thotë një nga përfaqësuesit e studentëve.

Por, 30% e studentëve të cilët kanë marrë pjesë në sondazh kanë shkuar pranë Fakultetit për të zhvilluar normalisht mësimin dhe nuk janë lejuar. Ndërkohë që 20% e tyre as nuk paraqiten dhe as nuk zgjedhin të ngujohen, por presin një zgjidhje të këtij ngërçi.

“Në mëngjes kanë ardhur shumë nxënës që ishin për mësim, por nuk kanë hyrë dot se dera ishte e bllokuar me karrige e banka. Ndërkohë që zysha po na priste jashtë. Do presim ç’do zgjidhi dekani, ne nuk kemi gjë në dorë, por do vijmë si çdo ditë për mësim”, thotë një studente.

“Ne kemi ardhur për mësim, por nuk na lejuan. U zhvillua një sondazh, ca ishin për mësim ca jo… nuk e di”, thotë një tjetër.

“Është situatë e paqartë, disa duan mësim disa bojkot, ju e shikoni dhe vetë që dera është e kyçur. Shumica e studentëve nuk e dinë se ç’po ndodh”, shprehet një student.

Në një mënyrë ndryshe nga të tjerët, studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale, të gjithë në një mendje, vazhdojnë bojkotin, por nuk ndalin ligjërimet mbi arsimin, bashkë me pedagogët.

“Ju e tejkaluat frikën e gabimit. Ndërkohë që ne, pedagogët e shkencave sociale, flas për këta që unë di, pavarësisht reagimit që patëm për ligjin e arsimit të lartë, patëm frikë të bojkotonim mësimin në 2015”, tha një pedagoge.

Nga ana tjetër, ministrja e dekretuar e Arsimit, Besa Shahini njofton shtyrjen e afatit të mbledhjes së dokumentacioneve për bursat dhe tarifave të shkollimit, pasi puna në sekretariatet e fakulteteve është penguar .

“I bëj ftesë universiteteve dhe studentëve që po protestojnë nëpër fakultete që të mundësojnë punën e sekretarive dhe të mundësojnë sot pjesëmarrjen e punonjësve të Ministrisë së Arsimit që t’iu asistojnë juve me pyetjet e çfarëdollojshme që keni”, deklaroi Shahini.

Derisa kjo të zgjidhet, në platformën e bashkëqeverisjes po hapet një rubrikë për informimin e studentëve në lidhje me VKM-të e miratuara./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi