“Strategjia e zgjerimit e Komisionit Evropian, moment pozitiv për rajonin”

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, i pranishëm në konferencën rajonale “Bashkëpunimi territorial, perspektivat e reja për nxitjen e integrimit”, theksoi se muajin që vjen do të prezantohet Strategjia e Zgjerimit e Komisionit Europian.

Bushati duke folur për strategjinë në fjalë, u shpreh se ky është një moment tejet pozitiv për politikën e zgjerimit të rajonit.

“Ky aktivitet çel kalendarin e një viti vendimtar për progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Strategjia e zgjerimit e Komisionit Evropian, e cila do të prezantohet muajin që vjen, shënon një moment tejet pozitiv për rajonin tonë, sepse e vendos në fokus politik dhe në një perspektivë konkrete politikën e zgjerimit, në një kohë kur skepticizmi ndaj zgjerimit të mëtejshëm të Unionit është mbizotërues në politikën dhe opinionin publik evropian. Ne presim nga kjo strategji propozime konkrete për hapat e radhës në ecurinë e procesit të aderimit për vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, në një perspektivë afatshkurtër e afatgjatë”, tha Bushati.

Duke folur për forcimin e bashkëpunimit në rajon, Bushati tha: “Ajo që po bëjmë prej katër vitesh në kuadër të procesit të Berlinit dhe të krijimit të një zone të përbashkët ekonomike në Ballkanin Perëndimor synon zvogëlimin e hendekut ekonomik dhe zhvillimor mes nesh dhe vendeve të tjera të Evropës, si dhe përmirësimin e ndërlidhjes në katër fusha kyçe siç janë, infrastruktura, tregtia, inovacioni dhe dixhitalizimi i shërbimeve dhe së fundmi afrimi mes qytetarëve tanë. Qeveria shqiptare është e investuar seriozisht në forcimin e partneriteteve me vendet fqinj, duke i konsideruar zonat ndërkufitare si rajone zhvillimi, me karakteristika të ngjashme natyrore e kulturore. Perspektiva zhvillimore dhe kohezioni social e përmirësimi i ndërlidhjes mes vendeve tona kanë qenë kryefjala e praktikës së mbledhjeve të përbashkëta qeveritare me Kosovën, Maqedoninë e së shpejti me Malin e Zi”.

Sipas tij, mbështetja financiare që BE ka ofruar në vijimësi, si për proceset reformuese në Shqipëri, ashtu dhe për perspektivën zhvillimore të vendeve të rajonit, duke i mëshuar qasjes rajonale dhe ndërkufitare, ka luajtur një rol themelor në këtë kontekst.

Në këtë konferencë e organizuar në formën e një seminari rajonal nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë merrte pjesë edhe Suhejl Fazliu, ministër i Vetëqeverisjes Lokale i Republikës së Maqedonisë, ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe zyrtarë të tjerë nga vendet e rajonit.

Gjatë sesioneve të konferencës është diskutuar për bashkëpunimin rajonal, me foks të veçantë bashkëpunimin ndërkufitar, si dhe procesin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi