Stoltenberg: Qeveria e Maqedonisë zyrtarisht ftohet të fillojë negociatat për pranim në NATO

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, zyrtarisht ia dorëzoi ftesën kryeministrin të Maqedonisë, Zoran Zaev, për fillim të negociatave për anëtarësim në Aleancë, pas vendimit të djeshëm të aleatëve të NATO-s në Bruksel.

Stoltenberg, i cili nënshkroi letrën me anë të të cilës informoi kryeministrin Zaev për vendimin e NATO-s theksoi se për shumë vite pjesëtarët e forcave të armatosura të këtij vendi kanë marrë pjesë në misionet aleate. Ai përmendi ndihmën e Maqedonisë për vendosjen e paqes dhe sigurisë në Afganistan.

“NATO ka treguar se dera për t’u bashkuar me Aleancën është dhe mbetet e hapur. Marrëveshja për çështjen e emrit që keni arritur me Greqinë ka larguar pengesën për hapjen e bisedimeve të pranimit. Unë e di se kompromiset e përfshira ishin të vështira për të dyja palët. Por, unë besoj se marrëveshja është në interesin më të mirë të vendit tuaj dhe të rajonit më të gjerë. Ju përgëzoj juve dhe të gjithë atyre që janë të përfshirë në guximin e tyre politik dhe angazhimin e tyre për një të ardhme më të mirë”, deklaroi Stoltenberg.

Shefi i Aleancës theksoi se marrëveshja e nënshkruar ka qenë një zbulim i rëndësishëm, që siç tha ai, ka hapur rrugën që vendi juaj të bëhet anëtar i plotë i NATO-s. Ai porositi se bisedimet e detajuara të pranimit tani do të fillojnë, që të ndihmojnë vendin të bëjë përgatitjet përfundimtare për anëtarësim të plotë.

“Pasi të përfundojnë të gjitha procedurat tuaja nacionale dhe të gjithë aleatët e NATO-s të kenë ratifkuar pranimin tuaj, ju do të bëheni anëtari i 30-të i kësaj Aleance, me një vend në tryezën tonë, me një zë të barabartë në diskutimet tona, me një votim të barabartë në vendimet tona. Siguria që vjen duke qenë pjesë e aleancës ushtarake më të suksesshme në botë, do të jetë një ditë krenare dhe e rëndësishme për vendin tuaj, për rajonin tuaj dhe për NATO-n”, tha Stoltenberg.

– Zaev: Ky vendim historik është njohje e punës sonë të angazhuar dy-dekadashe

Kryeministri Zaev shprehu mirënjohjet e tij deri te shefi i NATO-s, por edhe deri te kryeministrat e vendeve fqinje, Greqisë dhe Bullgarisë, për arritjen e marrëveshjeve për fqinjësi të mirë.

“Ky është një vendim historik për vendin dhe për qytetarët, njohje e punës sonë të angazhuar dy dekadashe si dhe për të gjithë politikanët maqedonas nga pavarësia deri më sot. Të jeni të bindur se anëtarësimi do ta konsolidojë demokracinë në rajon dhe do të shërbejë si shembull pozitiv në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Zaev.

Ai theksoi se si vend i 30-të i Aleancës janë të gatshëm të japin shembull pozitiv dhe të kontribuojnë për shndërrimin e Ballkanit Perëndimor në një rajon paqësor dhe demokratik.

Më herët, në një konferencë për media shefi i Aleancës u pyet nëse ai sheh shqetësim për rastin e dëbimit të diplomatëve rusë, përkatësisht për atë që ndodhi në Greqi apo për ndërhyrje eventuale në referendumin në Greqi.

“Kur bëhet fjalë për FYROM-in, çdo ndërhyrje nga vendet e tjera është e papranueshme, ne mirëpritëm Marrëveshjen midis Shkupit dhe Athinës. Kjo është mundësi që paraqitet një herë në jetë për anëtarësim të FYROM-it në NATO dhe emri i ri Republika e Maqedonisë së Veriut”, u përgjigj Stoltenberg.

Gjatë ditës së djeshme dhe të sotme në Bruksel u mbajt Samiti i NATO-s. Dje u zhvillua takimi i Këshillit veri-atlantik të NATO-s në nivel të shefave të shteteve dhe qeverive të 29 vendeve anëtare të Aleancës, ndërsa sot u mbajt takimi i Këshillit veri-atlantik të NATO-s në po ashtu në nivel të shefave të vendeve dhe qeverive, por me kombet partnere operacionale të përhershme dhe me ato potenciale./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi