Stoletenberg: NATO dënon vrasjen e Oliver Ivanoviçit në Kosovë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili qëndron për vizitë në Maqedoni, deklaroi se NATO edhe më tej do të qëndrojë me një prani domethënëse ushtarake në Ballkanin Perëndimo, ndërsa theksoi se NATO dënon vrasjen e Oliver Ivanoviçit në Kosovë.

Stoltenberg, i cili u adresua në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, i pyetur lidhur me situatën e sigurisë në rajon, tha se NATO do të vazhdojë të jetë e pranishme në rajon dhe të punojë me partnerët e saj për stabilizimin e mëtejshëm të këtij rajoni.

“NATO do të qëndrojë me prani domethënëse ushtarake në Kosovë, atje gjendet edhe KFOR-i. Vrasja e Oliver Ivanoviçit është diçka që në fakt paraqet shembullin e asaj se gjendja në Kosovë nuk është ende ashtu siç duam të jetë. NATO dënon vrasjen e Ivanoviçit. Është thelbësore që kryerësit e vrasjes të mbajnë përgjegjësi dhe të dyja palët të tregojnë qetësi dhe përmbajtje. NATO do të vazhdojë të jetë e pranishme për të mbrojtur të gjithë qytetarët në Kosovë. Punojmë me partnerët dhe anëtarët tonë për të stabilizuar rajonin”, tha Stoltenberg.

Kujtojmë se udhëheqësi i Iniciativës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviç, të martën u vra nga të shtëna me armë zjarri në veri të Mitrovicës.

64 vjeçari Oliver Ivanoviç ishte një nga politikanët kryesorë në Kosovën veriore të dominuar nga serbët. Ivanoviç, i cili komandonte grupet paramilitare serbe në luftën në Kosovë, u dënua me 9 vjet burg në vitin 2016 për krimet e kryera gjatë luftës kundër civilëve shqiptarë. Gjykata Supreme e ndryshoi vendimin në vitin 2017 dhe urdhëroi rigjykimin./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi