Standardi i jetesës në Kosovë mbetet nën mesatar

 

Pavarësisht përmirësimeve të bëra vitet e fundit, standardi i jetesës së qytetarëve në Kosovë vazhdon të mbetet nën mesataren dhe larg vendeve të rajonit dhe Bashkimit Europian, thonë ekspertë të fushës ekonomike të cituar nga “Radio Europa e Lirë”.

Të dhënat e fundit e agjencisë vendase të Statistikave tregojnë se gjatë vitit 2017, konsumi i përgjithshëm në Kosovë ishte 2,340 milionë euro, ai i një ekonomie familjare 7,803 euro, dhe për kokë, 1,511 euro. Pjesa më e madhe e buxhetit të familjeve rezulton të jenë shpenzuar për ushqim – 40%, pas kësaj vijnë shpenzimet për banesë 29%, ndërsa duken të rrudhura ato për transport dhe veshmbathje me nga 5 përqind.

Burimi më i rëndësishëm i të ardhurave mbeten pagat nga sektori privat e ai publik, pas tyre renditen fitimet nga biznesi personal, pensionet e remitancat. Këto të fundit, nga sa pohojnë njohës të zhvillimeve ekonomike dhe sociale në Kosovë, kanë një ndikim të ndjeshëm tek rritja e standardit të jetesës, por sërish nuk mjaftojnë për ta ngritur atë në renditjen e cilësisë së jetesës në rajon dhe Europë.

Kosova konsiderohet si një prej vendeve me nivelin më të lartë të dërgesave të emigrantëve, të cilat në pjesën dërrmuese të rasteve shfrytëzohen për konsum familjar.

Top Channel