Stamboll, nis samiti katërpalësh për Sirinë

Në mikpritje të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Еrdogan, në Stamboll filloi samiti katërpalësh në lidhje me krizën në Siri, në të cilin marrin pjesë edhe liderët e Gjermanisë, Francës dhe Rusisë.

Samiti, i cili mbahet në Rezidencën Vahdettin në Stamboll, synon konsolidimin e armëpushimit në Idlib dhe gjetjen e një zgjidhjeje politike për krizën në Siri.

Еrdogan, së bashku me kancelaren gjermane Angela Merkel, presidentin francez Emmanuel Macron dhe presidentin rus Vladimir Putin, do të diskutojnë në samit për zhvillimet në terren, situatën në Idlib pas marrëveshjes së Soçit dhe zgjidhjen politike në kuadër të platformave të Astanas dhe Gjenevës.

Pjesëmarrës në këtë takim është edhe përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura.

Për herë të parë samiti tubon përfaqësuesit e platformës së Astanas dhe ata të “grupit të vogël” të themeluar në Gjenevë nga de Mistura. Më herët, Mistura në Gjenevë ka diskutuar formimin e komitetit kushtetues me përfaqësuesit e dy platformave.

Në delegacionin e Turqisë bëjnë pjesë edhe ministri i Jashtëm Mevlut Çavusoglu, ministri i Financave Berat Albayrak, ministri i Mbrojtjes Hulusi Akar, në atë të Rusisë ministri i Jashtëm Sergey Lavrov dhe ministri i Mbrojtjes Sergey Shoygu ndërsa në delegacionet e Gjermanisë marrin pjesë përfaqësues dhe këshilltarë specialë.

Ndryshe, pas një propozimi të presidentit Erdogan, ai së bashku me homologun rus Vladimir Putin kishin rënë dakord më 17 shtator në Soçi për një sërë masash shtesë për ta ruajtur armëpushimin në Idlib.

Erdogan dhe Putin u dakorduan që deri më 15 tetor të formohet një zonë e çmilitarizuar me një linjë prej 15-20 kilometrash, e cila do të kontrollohet nga ushtarët turq dhe rusë.

Gjatë procesit, Turqia ka kontribuuar në balancimin e rolit të shteteve të Bashkimit Europian, atij të Rusisë dhe Iranit për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën në Siri./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi