Soylu: Operacioni kundër PKK-së në Kandil, çështje kohe

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Turqisë, Sulejman Soylu, tha se operacioni i forcave turke në djepin e organizatës terroriste PKK në malin verior të Irakut, Kandil, është vetëm çështje kohe dhe se kjo vatër e terroristëve së shpejti do të pastrohet.

Ministri Soylu, si mysafir i panelit editorial të AA-së, komentoi mbi situatën aktuale në Turqi dhe rajon, në veçanti duke iu referuar luftës që Turqia në mënyrë aktive udhëheq kundër terrorizmit.

“Kandili më nuk është objektiv i largët, në Kandil-Hakurk në veri të Irakut forcat tona tashmë kanë marrë pikat kyçe. Operacioni kundër terroristëve të PKK-së në Kandil është vetëm çështje kohe. E siguroj kombin tonë se Kandil së shpejti do të jetë një vend i sigurt për Turqinë”, ka thënë Soylu.

PKK është një organizatë separatiste e cila ndodhet në listën e grupeve terroriste në Turqi, Bashkimin Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Gjatë fushatës terroriste tre-dekadashe kundër Turqisë, terroristët e PKK-së vranë të paktën 40 mijë njerëz.

Malet Kandil, Gara, Metin, Avashin-Basyan, Hakurk dhe Zap shtrihen në veri të Irakut përgjatë kufirit Irak-Turqi. Kjo është një zonë e njohur si djepi i lëvizjes terroriste PKK.

Forcat turke në vitin e tretë zhvillojnë një luftë gjithëpërfshirëse kundër terroristëve brenda Turqisë dhe në veri të Irakut, ku kryejnë edhe sulme ajrore.

Veprimet anti-terroriste në rajonet kufitare të Irakut dhe Sirisë bazohen në të drejtat e Turqisë të bazuara në të drejtën ndërkombëtare mbi vetë-mbrojtjen dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara (OKN) në luftën kundër terrorizmit. Veprimet kryhen duke respektuar integritetin territorial të vendeve fqinje dhe me qëllim të neutralizimit të kërcënimit terrorist.

Soylu gjithashtu komentoi edhe luftën gjithëpërfshirëse të cilën forcat e sigurisë turke dhe institucionet gjyqësore e zhvillojnë kundër organizatës terroriste FETO, e cila kreu tentimin e grusht shtetit të dështuar në korrik të vitit 2016, të udhëhequr nga Fethullah Gülen, i cili ndodhet në ekzil në SHBA.

“Turqia e ka bërë të qartë se nuk do të lejojë askënd që të kërcënojë me gisht nga ana tjetër e oqeanit”, tha Soylu.

Ai tha se deri më tani janë arrestuar mbi 34 mijë anëtarë të dyshuar të FETO-s dhe se më shumë se 114 mijë zyrtarë janë pezulluar nga funksionet, nga të cilët rreth 40 mijë janë kthyer në punët e tyre, pasi ata u liruan nga akuzat.

Organizata terroriste FETO në vitet e ’70-ta të shekullit të kaluar filloi të infiltrojë ithtarët e saj në institucionet e sigurisë së Turqisë, ashtu që në vitiet e ’80-ta në mënyrë të konsiderueshme të forcojë piramidën e saj paralele në kuadër të këtyre institucioneve dhe më në fund, më 15 korrik 2016, të kryejë përpjekjen e dështuar të grusht shtetit ushtarak, me qëllim të përmbysjes së rendit kushtetues dhe përmbysjen e qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike në Turqi.

Soylu gjithashtu tha se është treguar shumë e suksesshme praktika që zhvillimi i njësive të qeverisjes vendore në lindje dhe juglindje të Turqisë të kryhet me garantimin e Ministrisë.

“Këto komuna vitin e kaluar kanë paguar 140 milionë dollarë të borxheve të tyre. Pothuajse një miliard dollarë janë investuar dhe zhvillimi ka nisur me hapa të mëdhenj”, tha Soyle.

Ai konsiderohet si një nga luftëtarët më të mëdhenj kundër trafikut të drogës dhe lëndëve narkotike dhe në një intervistë me redaktorët e AA-së sot tha se këtë vit në të gjithë Turqinë u arrestuan afër 10 mijë trafikantë të dyshuar.

“Turqia vazhdimisht investon në forcimin dhe modernizimin e forcave të saj të sigurisë. Që nga fillimi i vitit 2017 kemi pranuar 45.650 policë të rinj. Deri në fund të këtij viti, ne do të pranojmë edhe 16.500 policë të tjerë”, tha Soylu./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi