Sistemi i sigurimeve sociale i domosdoshëm për Kosovën

Krijimi i sistemit të sigurimeve sociale është prioritet i vitit 2019 për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Sipas ministrit Skender Reçica ka një buxhet prej 465 milionë eurove për vitin 2019 që janë të kushtuara për skemat e pensionit sociale.

Viti që e lamë pas Reçica e konsideron vit të reformave.

Ai si reforma numëron fushën e marrëdhënieve të punës, trajtimin e personave me aftësi të kufizuara, ofrimin e shërbimeve sociale dhe atyre familjare.

Reçica bëri të ditur se do të bëjnë ligjin bazik për skemat e pensionit dhe projektligjin i cili do ta rregullojë fushën e sigurimeve sociale.

“Sistemi pensional pas reformës do të ndërtohet nga 4 shtylla, shtylla zero e cila do të mbulojë pensionet kontribut dhënëse, pensionet e moshës të viteve 90-ta, pensionet invalidore të punës, pensionet familjare, pensionet e invalidëve të punës, do të jenë pensionet e TMK-së. Në një mënyrë do të jenë këto skema të cilat financohen nga shteti. Në shtyllën një, e cila do të krijohet nga Fondi për sigurime sociale që do të krijohet, do të jenë pensionet e moshës, pensionet kontribut dhënëse, pensionet e lehonave që punojnë, do të jetë trajtimi i fëmijëve, shtesat e fëmijëve. Shtylla e dytë, ajo që ne e quajmë trusti dhe do të jetë shtylla e tretë kursimet apo deklarimet vullnetare për kursime në skemën pensionale”, bëri të ditur ministri.

Ministri Reçica për KosovaPress bëri të ditur se janë mbi 37 mijë veteranë që nga kjo ministri marrin pensione. Buxhet të planifikuar për këtë kategori ka edhe për vitin 2019.

Për rastet e shumta të vdekjeve të punëtorëve në vendet e punës gjatë vitit 2018, Reçica tha se kanë ndërmarrë disa veprime për të parandaluar këtë dukuri dhe për të siguruar jetën e punëtorëve.

Për vitin 2018 sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë ka arritur 30.7. Për këtë kreu i Ministrisë së Punës tha se vendi vazhdimisht është ballafaquar me një shkallë të lartë të papunësisë.

Po ashtu Reçica tha se janë duke hartuar një plan duke bashkëpunuar me sektorin privat që të ofrojnë më shumë vende pune për qytetarët.

Për më tepër për të zvogëluar shkallën e papunësisë Reçica tha se janë duke trajnuar punëkërkuesit në aftësim profesional.

Ai shprehet i bindur se vitin e ardhshëm, do të rritet edhe më shumë numri i atyre të cilët do të trajnohen për punë të përkohshme në Bashkimin Europian, të cilët, pas përfundimit të periudhës sa punojnë, të kthehen në vend.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi