Siri, regjimi dhe avionët rusë sulme ajrore në Idlib dhe Hama

Regjimi i Bashar al Asadit në Siri dhe Rusia vazhdojnë të kryejnë sulme ajrore ndaj qytetit Idlib në veriperëndim të vendit dhe në qytetin Hama në pjesën qendrore të Sirisë. Në sulme ka humbur jetën një fëmijë.

Sipas informacioneve që posedon gazetari i AA-së nga burimet lokale, avionët luftarakë rusë dhe të regjimit sirian si dhe helikopterët e regjimit duke filluar nga orët e mëngjesit po kryejnë sulme ndaj vijave të frontit të grupeve ushtarake kundër regjimit dhe vendbanimeve civile në qytezën Habit, Tel Aas dhe fshatin Abidin në jug të Idlibit, si dhe në qarkun Latamne në veri të qytetit Hama.

Helikopterët e regjimit të Asadit kanë kryer një sulm me bombë ndaj spitalit në qytezën Latamne, në zonën rurale veriore të Hamës. Si pasojë e këtij sulmi spitali ka mbetur jashtë shërbimit ndërsa njoftohet se nuk ka të vdekur apo të plagosur nga sulmi.

Drejtori i Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha) Mustafa Haxh Jusuf në një deklaratë për AA tha se “Në sulmet e kryera që nga orët e mëngjesit një fëmijë në qytetin Habit të Idlibit ka humbur jetën. Ndërsa të paktën 5 civilë janë plagosur”.

Në mesazhin e zyrtarëve të Observatorit të avionëve të opozitarëve, të publikuar nga rrjetet sociale thuhet se “Helikopterët e regjimit të Asadit të cilët janë nisur nga Hama dhe avionët luftarakë të Rusisë të cilët janë nisur nga baza ushtarake Himeymim kanë kryer sulme ajrore ndaj vijave të frontit të opozitarëve dhe vendbanimeve civile në jug të Idlibit dhe në Hama”.

– Gjatë 9 ditëve të fundit 29 civilë të vdekur

Sipas burimeve të Mbrojtjes Civile, në sulmet ajrore dhe tokësore të kryera në perëndim dhe jugperëndim të Idlibit si dhe në veri të Hamas, duke filluar nga fillimi i këtij muaji kanë humbur jetën 29 civilë kurse të paktën 58 të tjerë janë plagosur.

Idlibi, qytet në veriperëndim të Sirisë i cili ndodhet nën kontrollin e opozitarëve ushtarakë dhe të grupeve të armatosura kundër regjimit, në takimin e Astanas më 4-5 maj të vitit 2017 është shpallur “zonë e deeskalimit”. Mirëpo, regjimi dhe kohë pas kohe Rusia vazhdojnë të kryejnë sulme ajrore ndaj rajonit./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi