Siri, aleanca Asad-Rusi ka vrarë 329 civilë në Gutën Lindore

Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) njofton se në sulmet e kryera gjatë dy muajve të fundit nga regjimi i Bashar al Asadit në Siri dhe mbështetësit e regjimit në Gutën Lindore kanë humbur jetën 329 civilë, prej të cilëve 79 fëmijë dhe 54 gra.

SNHR publikoi raportin për periudhën 14 nëntor-11 janar, lidhur me sulmet ajrore dhe tokësore të Rusisë dhe të regjimit Asad në rajonin e Gutës Lindore, e cila ndodhet në lindje të Damaskut dhe nën kontrollin e opozitarëve.

Në raport është dokumentuar vdekja e gjithsej 329 civilëve në mesin e të cilëve 79 fëmijë dhe 54 gra.

Sipas raportit në sulmet ajrore dhe tokësore të regjimit të Asadit në zonën e deeskalimit të Gutës Lindore kanë humbur jetën gjithsej 297 civilë, prej tyre 71 fëmijë dhe 41 gra. Ndërsa në sulmet e forcave ruse, të cilët ofrojnë mbështetje ajrore për forcat e regjimit, kanë humbur jetën gjithsej 32 civilë, në mesin e të cilëve 8 fëmijë dhe 13 gra.

20 “masakra” në dy muajt e fundit”

SNHR-ja sulmet ku vriten të paktën 5 persona i vlerëson si “masakra”. Sipas kësaj, aleanca mes regjimit të Asadit dhe Rusisë gjatë dy muajve të fundit në Gutën Lindore ka kryer 20 masakra. Sipas raportit forcat e regjimit kanë kryer 17 ndërsa forcat ruse 3 masakra.

Në raport bëhet e ditur se forcat e regjimit kanë bombarduar 8 mesxhide, 4 shkolla, 6 qendra të shëndetësisë dhe 13 vende të tregut në Gutën Lindore.

Në anën tjetër ekipet e Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha) kanë njoftuar se gjithsej 1.337 civilë nga të cilët 12 punonjës të Mbrojtjes Civile janë vrarë në sulmet në Gutën Lindore të ndërmarra nga regjimi i Asadit në vitin 2017.

Në Gutën Lindore, e cila është nën kontrollin e opozitarëve, jetojnë afro 400 mijë civilë nga të cilët gjysma janë fëmijë. Në kundërshtim me marrëveshjen e Astana-s ku Guta Lindore u shpall si “zonë jokonfliktuale”, regjimi i Asadit, garantues i të cilit ishte Rusia, ka 9 muaj që ka intensifikuar bllokadën ndaj rajonit në fjalë.

Në rajonin ku është thelluar kriza humanitare, ka mbi 600 raste urgjente dhe mijëra të sëmurë të tjerë të cilët presin të evakuohen. Shumica e të sëmurëve janë fëmijë ose të sëmurë me kancer në faza të avancuara. Shumë foshnja dhe fëmijë nga Guta Lindore humbën jetën si pasojë e urisë dhe mungesës së ilaçeve./Rtv Drita/

Shtojca

Lini nje Koment