Siri, afër 600 persona të privuar nga liria në korrik

Rrjeti Sirian i të Drejtave të Njeriut (SNHR) njoftoi se 589 persona janë rrëmbyer dhe burgosur muajin e kaluar në Siri, shumica nga regjimi i Bashar al-Asadit.

Në raportin e fundit të publikuar në lidhje me personat e privuar nga liria në vazhdën e krizës në Siri, SNHR tha se nga 589 personat e rrëmbyer dhe burgosur në korrik, 38 janë fëmijë ndërsa 24 gra.

Në raport thuhet se fati i 387 personave të privuar nga liria ngelet i panjohur.

Sipas raportit, 296 persona, përfshirë 16 fëmijë dhe tetë gra, janë burgosur nga regjimi i Bashar al-Asadit, ndërsa 227 të tjerë, prej të cilëve 18 fëmijë dhe 14 gra, janë burgosur pa arsye në rajonet e pushtuara nga organizata terroriste YPG/PKK.

Mbi 3.000 persona të privuar nga liria në periudhën janar-korrik

Ndërkohë, siç thuhet, 66 persona, përfshirë katër fëmijë dhe dy gra, janë privuar nga liria nga ana e grupeve opozitare.

SNHR theksoi se në muajin janar janë burgosur 567 persona, në shkurt 347, në mars 357, në prill 459, në maj 394, në qershor 336 dhe në korrik 589, me çka numri i përgjithshëm i të privuarve nga liria nga palët ndërluftuese në Siri arrin në 3.049 për shtatë muajt e parë të vitit.

Sipas burimeve opozitare, në burgjet e regjimit gjenden të paktën 1.500 të burgosur të luftës.

Në një raport të publikuar më 30 prill, organizata në fjalë njoftoi se mbi 14 mijë persona janë torturuar për vdekje në burgjet e regjimit të Asadit që nga fillimi i luftës civile në vitin 2011.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi