Sigurohen votat, demarkacioni votohet nesër

Nesër nga ora 16:00 është paralajmëruar mbajtja e seancës së Kuvendit të Kosovës me vetëm një pikë të rendit të ditës, ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Pro kësaj marrëveshje, votimi i së cilës është zvarritur tash e tri vite, janë shprehur të gjithë deputetët e koalicionit qeverisës si dhe LDK-ja, derisa e kanë kundërshtuar ata të Vetëvendosjes, Listës Serbe dhe Grupi i deputetëve të pavarur, shkruan Indeksonline.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka konfirmuar se tashmë i kanë numrat për ta ratifikuar demarkacionin, që është njëri nga kushtet për liberalizimin e vizave.

Ai në një prononcim për Indeksonline ka thënë se me marrëveshjen e re të dy presidentëve Hashim Thaçi dhe Filip Vujanoviç, është krijuar një realitet i ri.

“E kemi thënë kur të thirret seanca duhet të jenë numrat dhe të ratifikohet marrëveshja. Meqë është krijuar realitet i ri pas nënshkrimit të dy presidentëve dhe raportit të komisionit shtetëror”, ka thënë Lekaj.

Për të miratuar këtë marrëveshje në Kuvend po punon intensivisht Partia Demokratike e Kosovës. Kështu ka thënë për Indeksonline, zëvendëskryeministri dhe nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj.

“Të gjithë deputetët e koalicionit qeverisës do të votojnë pro marrëveshjes dhe këtu nuk ka asnjë dyshim, por do ketë edhe deputetë të opozitës dhe të listës serbe që do japin votën. Po ashtu, do merremi me këtë temë deri të martën intensivisht. Deri më tani kemi fol sa me Listën Serbe po aq edhe me parti të tjera shqiptare në opozitë për të siguruar votat e nevojshme dhe për ta ratifikuar përfundimisht marrëveshjen e Demarkacionit”, ka potencuar Hoxhaj.

Mbështetjen e LDK-së për ratifikimin e demarkacionit e ka konfirmuar sot edhe shefi i Grupit Parlamentar, Avdullah Hoti.

Ai ka theksuar se 27 deputetët e LDK-së në Kuvendin e Kosovës do të votojnë pro ratifikimit të marrëveshjes për demarkimin e kufirit me palën malazeze.

“27 votat e deputetëve të LDK-së janë në favor të ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. ‘Keqinterpretimi’ i qëllimshëm që disa medie po i bëjnë postimit të deputetit Ramiz Kelmendi është përpjekje e kotë për zhvendosjen e vëmendjes nga pamundësia e koalicionit qeverisës për t’i siguruar të gjitha votat e shumicës së brishtë parlamentare”, ka thënë Hoti./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi