Siguria ushqimore me koncesion? Propozimi vë në siklet ministrin e Bujqësisë

Në tryezën e qeverisë po qëndron një propozim për një koncesion për sigurinë ushqimore. Propozimi për këtë koncesion ka ardhur nga një grup industrialistësh vendas, që kanë përgatitur një raport të plotë për sigurinë ushqimore.

Ministri i Bujqësisë duket se e ka me bezdi të flasë, se çfarë qëndrimi ka ai apo qeveria, që siguria ushqimore t’i kalojë privatit.

“Nuk jam njohur fare me këtë pjesë”, përgjigjet Niko Peleshi, teksa kërkon pyetjen mbi këtë çështje.

Në fakt, ministri e ka cituar raportin më 15 dhjetor 2017, kur u bëri thirrje institucioneve në varësi për marrjen e masave për sigurinë e përpunimit të qumështit.

Ndërkohë, nuk ka aspak siklet për të folur për propozimin ish-zv.ministri i Bujqësisë, Alban Zusi, që drejton Shoqatën që ka bërë propozimin. Zoti Zusi, një nga sipërmarrësit më të mëdhenj të industrisë agroushqimore, mohon që koncesioni i sigurisë ushqimore vendos një situatë monopoli.

“Ne nuk propozojmë krijimin e një monopoli, por ne themi që të krijohen dhe të licencohen me qindra dhe me mijëra ekspertë të veterinarisë, të agronomisë, të teknologjisë së ushqimit. Këta profesionistë kryejnë funksionet e tyre edhe këshilluese, por nga ana tjetër do të kenë edhe disa detyrime, të cilat i parashikon ligji: matrikullimin e detyruar, vaksinimin e detyruar, lëvizja e kafshëve me dokumentacionin përkatës, marrjen e analizave”, shprehet Alban Zusi.

Pra nëse propozimi miratohet, inspektimet nuk do të kryhen më nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, por nga privatët. AKU dhe Ministria e Bujqësisë do të kenë rol mbikëqyrës mbi bazën e dhënave, që do të krijojë koncesionari, për të pasur një kontroll apo monitorim më të mirë të të gjithë përpunuesve apo tregtuesve të produkteve ushqimore./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi