Shtyhet taksa e pronës. Do të paguhet në vitin 2019

Qytetarët do ta paguajnë taksën e re të pronës duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Edhe pse ishte parashikuar të hynte në fuqi që nga muaji i kaluar, qeveria ka vendosur që ta shtyjë zbatimin e taksës së re me kërkesë të bashkive.

“Periudha deri në janar të 2019 është lënë si periudhë tranzitore, që i lejon njësive vendore që të përgatiten mirë, në mënyrë që në 1 janar 2019, të gjitha njësitë vendore të aplikojnë taksën e pronës në bazë të vlerës”, deklaroi ministri i Financave, Arben Ahmetaj.

Prej vitesh,taksa e pronës në Sqipëri është paguar si tarifë fikse mbi sipërfaqen. Por,me formulën e re ajo llogaritet sa 0.05% e vlerës së pronës. Sipas qeverisë, kjo formulë bën një shpërndarje më të drejtë të barrës fiskale.

“Kjo nuk është një taksë e re, nuk është taksë që është rritur, përkundrazi, në shumë kategori është ulur, është bërë më transparente, bazuar te vlera. Do t’i japë më shumë mundësi tatimpaguesve që të dinë se çfarë dhe për çfarë janë duke paguar dhe do t’i japë më shumë mundësi qeverisjes vendore që të ketë një kontroll më të mirë mbi territorin dhe mbledhje taksash më transparente”, sqaroi Ahmetaj.

Ndonëse në fillim u parashikua që taksa e re të paguhej nga të gjitha familjet, më vonë qeveria pranoi që të përjashtojë nga kjo taksë pensionistët e vetëm, familjet në ndihmë ekonomike dhe një sërë kategorish të tjera në nevojë.

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi