Shtetasit turq në rajon votojnë për zgjedhjet në Turqi

Qytetarët turq në Shqipëri dhe Kosovë kanë filluar sot votimin për zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare, që do të mbahen më 24 qershor në Turqi, ndërsa ata në Maqedoni kanë filluar që dje.

– Shqipëri

Procesi i votimit që ka filluar në orën 09:00 do të përfundojë në orën 21:00, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë.

Janë rreth 1350 votues të regjistruar të cilët kanë të drejtë të votojnë në kuadër të procesit të votimeve që zhvillohet jashtë vendit.

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, në një prononcim për AA tha se zgjedhjet janë elementi kryesor i sistemeve demokratike.

“Në 5 vitet e fundit rendi kushtetues i demokracisë sonë është gjendur përballë shumë sulmeve dhe si rrjedhojë kemi kaluar shumë ngjarje. E fundit e tyre ishte edhe tentativa tinzare dhe e poshtër e FETO-s për grusht shteti më 15 korrik me qëllim copëtimin e vendit. Por përballë gjithë kësaj të keqeje, populli turk me vendosmërinë e fortë, qetësinë, unitetin dhe bashkimin, doli fitues si gjithmonë”, tha ambasadori turk.

“Unë shpresoj që bashkë me këto zgjedhje populli turk do të zgjedhë si gjithmonë forcimin e stabilitetit, demokracisë dhe pavarësisë”, u shpreh më tej ambasadori Yörük.

– Kosovë

Procesi i votimit ka filluar në orën 9:00 dhe do të përfundojë në orën 21:00 në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Prishtinë dhe në Konsullatën e Përgjithshme në Prizren.

Votën e parë në Prishtinë e realizoi ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç e cila në një deklaratë për AA theksoi se procesi i votimit po realizohet në një të dielë të bukur meqenëse është edhe dita e tretë e festës së Bajramit. Kılıç njoftoi se numri i votuesve në Prishtinë është 1328 ndërsa ai në Prizren 338.

“Ne i ftojmë të gjithë shtetasit tanë që të vijnë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike, të marrin pjesë në zgjedhje dhe të votojnë”, tha Kılıç.

Ajo tha se procesi zgjedhor jashtë vendit do të konsiderohet si një zonë elektorale duke shtuar se të gjithë shtetasit e regjistruar në regjistrin e jashtëm zgjedhor mund të votojnë në të gjitha përfaqësitë diplomatike si dhe në aeroporte.

Ambasadorja Kılıç shtoi se janë të kënaqur me numrin e qytetarëve turq që deklaruan adresën e tyre në Prishtinë apo Prizren.

“Ne presim një numër të lartë të pjesëmarrjes në këto zgjedhje, sepse kishte një interes të madh nga qytetarët gjatë procesit të deklarimit të adresave në ambasadën tonë”, u shprej ajo.

Mësuesja nga Turqia, Melike Cagirici, e cila votoi në Ambasadën e Turqisë në Prishtinë, tha se kjo ditë është një festë e dyfishtë sepse jemi në ditën e tretë të festës së Bajramit. “Unë shpresoj se ne do të arrijmë rezultatet më të mira në këto zgjedhje për ne, për kombin tonë dhe për popullin e Kosovës në të njëjtën kohë”, tha Cagirici.

Shtetasi turk Gökhan Kargili i cili ka ardhur në ambasadë për të dhënë votën e tij uroi që në këtë ditë të mirë të Bajramit, ky votim të jetë në të mirën e popullit dhe shtetit të Turqisë.

“Erdhëm të votojmë në mënyrë që të përmbushim atë që e kërkon demokracia. Le të jetë në të mirën e vendit dhe popullit tonë”, tha ai.

Votimi për zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare zhvillohet edhe në Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi.

– Maqedoni

Procesi i votimit në Maqedoni ka filluar dje në orën 09:00, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Shkup, ndërsa vazhdon edhe sot deri në orën 21:00.

Ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara në një deklaratë për mediat tha se që të kalojë procesi i votimit në “atmosferë festive” janë marrë masa të jashtëzakonshme të sigurisë.

Ajo tha se në Maqedoni janë 2.518 votues të regjistruar, ndërsa shprehu dëshirën që zgjedhjet t’i sjellin mirësi Turqisë dhe shtetasve të saj.

Yasin Ulusoy, një shtetas që votoi këtu uroi që zgjedhja të sjellë mirësi në vendin e tij.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi