Shqipëria krijon për herë të parë Harta Digjitale Topografike

Japonia mbështet krijimin për hërë të parë në Shqipëri të hartës digjitale topografike

 Krijohe Harta Digjitale Topografike per zhvillimin urban në Shqipëri

Qeveria Japoneze po mbështet Shqipëria në krijimin  për herë të parë të hartave digjitale topografike të standardeve bashkëkohore, që i vijnë në mbështetje zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë sektorëve ekonomiko-socialë të vendit.

Që nga viti 2017, qeveria shqiptare në bashkëpunim me qeverinë e Japonisë, përmes Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA), mbështesin Autoritetin Shtetëror për Informacionin Gjeohapacin (ASIG), për të zbatuar “Projektin për Informacionin Gjeohapësinor dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm të Tokës në Zonën Tiranë-Durrës”.

Projekti synon të përmirësojë kapacitetin e stafit të ASIG dhe të prodhojë hartën digjitale topografike (1:2000) në zonat e Tiranës dhe Durrësit  bazuar në njohuritë dhe teknologjitë e transferuara nga ky projekt.

Në verën e vitit 2018, projekti mundësoi për ASIG-un një sërë pajisjesh për hartografinë digjitale, në shumën prej 300.000 euro, të tilla si kompjutera, softuerë të hartave, ekranë, printera lazer me ngjyra për printimin e hartave digjitale. Gjithashtu, stafi i ASIG është specializuar përmes trajnimit të përditshëm në vendin e punës dhe kurseve të trajnimit gjeohapësinor në Japoni.

Si pjesë e aktivitetit për përmirësimin e kapaciteteve njerëzore, JICA dhe ASIG organizuan në Tiranë një sesion trajnimi për studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Civile të Universitetit Politeknik të Tiranës. Duke përdorur pajisjet e softuerët e prokuruara nga Projekti, si dhe njohuritë e fituara përmes trajnimit, stafi i ASIG dhe ekspertët japonezë u mësuan studentëve se si të prodhojnë harta digjitale topografike. Ky aktivitet u mundësoi studentëve të përdorin teknologji të përparuara për kapjen e të dhënave, si të shfrytëzojnë informacionin gjeohapësinor dhe teknikat për hartimin e hartave topografike digjitale.

Të pranishëm në aktivitet ishin ambasadori i Japonisë në vendin tonë Makoto Ito, përfaqësuesi rezident i Zyrës së Ballkanit të JICA, Hideya Kobayashi, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i ASIG, Lorenc Çala, të cilët vlerësuan këtë proces me impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin e vendit.

Ambasadori i Japonisë në vendin tonë Makoto Ito, tha se “shumë punë janë realizuar gjithashtu, verifikimet në terren tashmë kanë përfunduar, janë prodhuar fotografitë e para ajrore të Tiranës dhe të Durrësit dhe është krijuar një mostër e hartave topografike digjitale”.

“Për më tepër, 10 anëtarë të stafit të ASIG kanë zhvilluar trajnime në Japoni gjatë dy viteve të fundit, në përpjekje për të rritur kapacitetet e këtij institucioni dhe për të plotësuar nevojat e popullsisë shqiptare që jetojnë në zonat e Tiranës dhe Durrësit. Përmes këtij hapi të ndarjes të njohurive dhe eksperiencave tona me studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Civile të Universitetit Politeknik i Tiranës, ne shpresojmë t’u ofrojmë këtyre profesionistëve të ardhshëm një mundësi për të kuptuar më mirë këto pajisje dhe këtë teknologji, që në të ardhmen ata të jenë në gjendje të përgatisin në mënyrë të pavarur harta topografike digjitale”, theksoi ai.

Ndërsa përfaqësuesi rezident i Zyrës së Ballkanit të JICA, Hideya Kobayashi u shpreh se, “me ndihmën dhe angazhim të fortë e bashkëpunimit nga stafi i shkëlqyeshëm i ASIG, dhe Qeveria e Shqipërisë, deri tani, JICA dhe ASIG kanë zbatuar me sukses projektin për krijimin e hartave topografike digjitale. Që prej nisjes së tij, në shkurt të 2017, ky projekt është përqendruar në: prodhimin i Hartave Topografike Digjitale për palët e interesuara; përmirësimin e kapaciteteve të ASIG përmes trajnimit në vendin e punës nga ekspertët japonezë për të transferuar njohuritë dhe teknologjinë e prodhimit të hartave; trajnimin në Japoni për specialistët e ASIG në lidhje me prodhimin e hartave digjitale; këshillimin dhe sigurimin e mbështetjes së nevojshme për përdorimin e gjerë dhe efektiv të hartave digjitale topografike, për qëllime si, planifikim urban, zhvillim dhe mirëmbajtje e infrastrukturës etj.”.

Siç edhe mund ta dini, Japonia ka një marrëdhënie të gjatë dhe miqësore me Shqipërinë, dhe ka mbështetur qeverinë dhe popullin shqiptar për më shumë se 20 vjet, për zhvillimin e mëtejshëm të vendit dhe krijimin e komuniteteve më të shëndetshme dhe më të begata, tha ai.

Në përfundim të këtij aktiviteti, përfaqësuesi Rezident i Zyrës së Ballkanit të JICA-s, z. Kobayashi, i dorëzoi simbolikisht Drejtorit të Përgjithshëm të ASIG-ut, Lorenc Çala, pajisje dhe softuerë, të dhuruar ASIG-it, në kuadër të këtij projekti.

Përmes këtij projekti, JICA po mbështet ASIG në rritjen e kapaciteteve teknike dhe njerëzore, si dhe transferon njohuritë përkatëse për hartografinë topografike digjitale.

Drejtoi i Përgjithshëm të ASIG-ut, Lorenc Çala e vlerësoi historike krijimin e hartave digjitale që përbëjnë një revolucion në shërbim të zhvillimit shumëdimensional të vendit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi