Shqipëria, destinacioni i ri i tregut “hallall”

Produktet hallall kanë filluar të përdoren gjerësisht në Shqipëri, ndërsa në vitet e fundit në vend janë organizuar edhe panaire dhe aktivitete të ndryshme me qëllim promovimin e tyre dhe sensibilizimin e konsumatorëve, sidomos ata muslimanë për përdorimin e këtyre produkteve.

Hallall do të thotë e lejueshme dhe e ligjshme dhe nisur nga kjo një produkt hallall është një produkt i lejuar sipas rregullave islame. Pas rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri filloi përdorimi i produkteve hallall nga sektorë të ndryshëm, produkte të cilat certifikohen dhe përgatiten sipas rregullave islame.

Në Shqipëri këto produkte përfshijnë që nga produktet ushqimore, pijet, produktet e kozmetikës, farmaceutikës dhe të tjera, të cilat sot kanë një përdorim në të gjithë vendin, ndërsa vitet e fundit ka një rritje të përdorimit të tyre.

Fabian Dajcaj i cili drejton edhe një shoqëri për shpërndarjen e produkteve hallall në Shqipëri në një intervistë për Anadolu Agency (AA) tregon për përdorimin e këtyre produkteve, certifikimin e tyre, rritjen e tregut, etj.

“Hallall është një standard cilësie i shpallur nëpërmjet Kuranit, që do të thotë e lejuar. Në nivel botëror ne po mundohemi që të japim konceptin që hallall është diçka e shëndetshme. Ka një interes ndërkombëtar në rritje për tregjet hallall. Si rezultat ne filluam panairin hallall vitin e kaluar, i cili ishte një edicion modest, i vizituar nga më tepër se 15 mijë vizitorë dhe kjo tregon interesin në rritje dhe një vakum në kuptimin tregtar në vendin tonë”, thekson ai.

Dajcaj tregon se kanë shfaqur interes për tregun shqiptar apo për prezantimin e produkteve të tyre edhe kompania nga jashtë.

“Sot njerëzimi ka ndriçimin shkencor për të kuptuar pse një produkt i ndaluar është i tillë dhe pse një produkt i lejuar është i tillë. Përveç produkteve me mish derri apo alkool, kimikatet që dëmtojnë shëndetin e bëjnë një produkt të ndaluar, nëse është i modifikuar gjenetikisht është përsëri i ndaluar”, tregon ai.

Sipas tij, çdo lloj produkti që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi, afatgjatë apo afatshkurtër, në shëndetin e njerëzve është i certifikushëm hallall.

Certifikimi i produkteve hallall në Shqipëri

Edhe në Shqipëri ashtu si në vende të tjera certifikohen produktet hallall, ku janë disa trupa certifikuese të cilat kanë tagrin për të bërë certifikimin hallall dhe certifikimi i tyre njihet.

“Ne kemi aktualisht 7-8 kompani të certifikuara dhe një numër të konsiderueshëm kompanish në proces licencimi që kanë shprehur interesin për certifikim hallall. Në një pjesë të tyre janë pronarë muslimanë dhe një pjesë e tyre pronarë jo muslimanë, por duke qenë se janë kompatibël me standardet hallall ata tentojnë që të hyjnë në tregun e konsumatorit musliman, por jo vetëm”, tregon Dajcaj.

Certifikimi hallall është një certifikim serioz, bëhet në një rrugë totalisht profesionale nga ekspertë, grupe ekspertësh të licencuar, tregon ai dhe shton se “Mendoj që është një produkt ushqimor që ndiqet që në origjinë dhe ne kemi produktet ushqimore, pijet të certifikuara dhe kemi kozmetikën”.

“Tregu është në rritje të vazhdueshme”

Produktet hallall ka disa vite që kanë filluar të përdoren në Shqipëri, që prej vitit 2001, shprehet Dajcaj, duke filluar me produkte e mishit, pasi sipas tij, është pjesa më e ndjeshme e hallallit.

“Në vazhdimësi ka pasur treg në rritje duke qenë se konsumatori musliman, sidomos për produktet tejet të ndejshme, si mishi apo nënproduktet e mishit, ose do e konsumojë hallall ose nuk do e konsumojë dhe si rezultat ka qenë tregu ai që ka përcaktuar kërkesën dhe nevojën për kompanitë certifikuara hallall. Tregu është në rritje, absolutisht të vazhdueshme, madje edhe në nivelin e eksporteve, sepse produktet shqiptare janë të mirënjohura për cilësinë e tyre, për shkak të terrenit dhe të klimës. Tregu i eksporteve të produkteve hallall në Shqipëri është në rritje dhe kjo është shenjë shumë e mirë”, tha Dajcaj.

Në Shqipëri mund të certifikohen subjektet që tregtojnë produkte të cilat sipas subjekteve janë hallall, duke përfshirë restorantet, thertoret, pularitë, fabrikat e përpunimit të mishit dhe produkteve të tjera ushqimore, si dhe të produkteve të kozmetike apo të kujdesit personal.

Kompanitë shqiptare që prodhojnë produkte të certifikuara hallall janë disa, sidomos të pjesës që mbulon produktet ushqimore.

“Tregu kryesisht dominohet nga prodhues të huaj, megjithatë ne kemi edhe prodhues vendorë, për nënproduktet e mishit, që janë disa kompani që shërbejnë, kemi erëzat të certifikuara, salca të ndryshme, kompani për pijet të certifikuara, mendoj që janë në proces për vajin e ullirit dhe mjaltin. Ushqimi gati është prekur tërësisht me kompanitë e certifikuara vendore, por sidoqoftë tregu është i dominuar nga produktet e importit të certifikuara hallall”, thekson Fabian Dajcaj.

Ajo që vazhdon të mbetet një shqetësim për këto produkte sidomos për konsumatorët është vetëdeklarimi si hallall, për shkak të mundësisë për abuzim me standardet hallall nga tregtarët që mund të deklarojnë produktet e tyre si hallall, por që në fakt nuk janë të tilla.

Për produktet hallall në Shqipëri organizohen edhe panaire, ndërsa i fundit ishte i hapur disa ditë më parë ku u ekspozuan produkte ushqimore, pije, produkte të kozmetikës, mjekësisë dhe farmaceutikës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi