Shqipëri, tryezë diskutimi për fuqizimin e romëve në nivel lokal

 

U mbajt në Tiranë takimi i Komitetit Drejtues të Programit të Përbashkët Rajonal midis Bashkimit Evropian(BE) dhe Këshillit të Evropës ROMACTED, me temë: “Promovimi i qeverisjes së mirë dhe fuqizimi i romëve në nivel lokal”.

Të pranishëm në aktivitetin e organizuar si tryezë diskutimi ishin ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Claus Neukirch, përfaqësues të komitetit drejtues të programit ROMACTED, përfaqësues të pushtetit vendor dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Në fjalën e saj në aktivitet Manastirliu tha se 5 prioritetet kyçe që rezultojnë nga dialogu politik i nivelit të lartë mes Qeverisë së Shqipërisë dhe BE-së përfshijnë edhe masat për forcimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke përfshirë romët dhe politikat antidiskriminuese.

Duke folur për masat e ndërmarra për përmirësimin e legjislacionit shqiptar në përputhje me konventat ndërkombëtare, Manastirliu u shpreh se Shqipëria është avangardë në rajon, përsa i përket respektimit të minoriteteve.

“Miratimi i Ligjit për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Shqipëri siguron të drejta dhe mbrojtje të veçantë për personat që u përkasin pakicave kombëtare, pjesë e të cilave janë dhe pakicat rome dhe egjiptiane, ku adresohen njohja dhe mbrojtja e pakicave rome dhe egjiptiane, lidhur me të drejtën e vetëidentifikimit, ndalimin e diskriminimit dhe lirinë e të drejtave”, tha Manastirliu.

Sa i takon strehimit social, ajo tha se është një ndër prioritetet kryesore dhe ligji i miratuar së fundmi në parlament garanton 6 programe të tilla.

“Qeveria po zbaton Planin Kombëtar të Veprimit për Integrimin e romëve dhe egjiptianëve, i cili është orientuar në sektorin e regjistrimit civil, arsimit, promovimit të dialogut ndërkulturor, punësimit, rritjes së aftësive profesionale, kujdesit shëndetësor dhe aksesit në shërbime, strehimit social, integrimit urban dhe programet e mbrojtjes sociale. Burimet financiare të këtij plani përballen dhe me sfida. Është përgjegjësi e qeverisë, por ne do të mbështetemi edhe nga fondet e donatorëve”, tha Manastirliu.

Duke folur për Ditën Botërore kundër Punës dhe Shfrytëzimit të Fëmijëve, Manastirliu u shpreh se ky fenomen është ende prezent në Shqipëri dhe sipas saj gjatë vitit 2017 nëpërmjet njësive të mbrojtjes së fëmijëve janë identifikuar dhe trajtuar 387 fëmijë në situatë rrugë të shfrytëzuar ekonomikisht.

Programi ROMACTED synon të ndërtojë angazhim të qëndrueshëm në nivel politikash të autoriteteve vendore, për të përmirësuar qeverisjen vendore si dhe fuqizimin e komuniteteve rome dhe nga programi në fjalë përfitojnë disa bashki në Shqipëri.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi