Shqipëri, përfundon procesi i deklasifikimit të dokumenteve të regjimit komunist

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë ka përfunduar procesin e deklasifikimit të 48 mijë dosjeve dhe 600 mijë dokumenteve të periudhës së regjimit komunist.

Pjesë e dosjeve të deklasifikuara janë dokumente edhe nga fondet personale të ish-diktatorit Enver Hoxha, si dhe të minisrive të kohës.

Përgjegjësja e Promovimit dhe Komunikimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Elsa Saka, tha se Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka përfunduar tërësisht procesin masiv të deklasifikimit të dokumenteve që kanë qenë sekret.

“Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave njofton të gjithë studiuesit se ka përfunduar tërësisht procesi masiv i deklasifikimit të dokumenteve që kanë qenë sekret deri më sot për të cilën ka punuar gjatë vitit të kaluar një staf prej tetë arkivistëve më të mirë të vendit. Prej ditës së sotme do të mund të aksesohen lirisht më shumë se 48 mijë dosje dhe 600 mijë dokumente nga viti 1945 deri në 1993, duke filluar nga fondet e Presidiumit të Kuvendit Popullor, fondet e Kryeministrisë, fondet personale të Enver Hoxhës, fondet e ministrive, fondet e Prokurorisë së Përgjithshme, fondet e Gjykatës së Lartë, si dhe të organeve të tjera qendrore”, deklaroi Saka.

Sipas saj, procedura e deklasifikimit e ndjekur me rigorozitet siguron që dokumentet që kishin mbetur të deklasifikuara prej kohësh pa asnjë arsye reale, por vetëm sepse nuk është ndjekur procedura e nevojshme burokratike do të jenë të arritshme për të gjithë studiuesit e vendit.

“Drejtoria e Arkivave siguron të gjithë studiuesit se do të ketë një shërbim të shpejtë dhe cilësor në sallën e re të studimit”, tehksoi Saka.

Ndërkohë edhe institucione të tjera në Shqipëri në vitet e fundit kanë prezantuar nisma për publikimin dhe krijimin e aksesit për qytetarët për dokumente që i përkasin veprimtarisë së institucioneve të regjimit komunist.

Në vend është krijuar para disa vitesh edhe Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), që është përgjegjës lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit gjatë periudhës së komunizmit dhe informimin në lidhje me këto dokumente.

 

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi