Shqipëri, mbahet mbledhja e radhës e PABSEC

U zhvillua në Tiranë mbledhja e 51-të e Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEC), ku Kuvendi i Shqipërisë ka pasur presidencën e radhës.

Duke folur në punimet e asamblesë, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, vlerësoi rëndësinë e kësaj organizate rajonale dhe vuri në dukje disa prej sfidave globale që dalin para saj. 

Sipas Ruçit, nëpërmjet kësaj organizate “duhet të afrojmë e miqësojmë më shumë popujt dhe vendet tona, si dhe duhet të kontribuojmë që të shumëfishojmë potencialet që na ka falur natyra, me qeverisje të mirë, duke i përdorur ato në të mirë të mirëqenies dhe zhvillimit”.

Gjithashtu, kryeparlamentari Ruçi nënvizoi domosdoshmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit mes vendeve në sektorët me interes jetik për jetën e qytetarëve, shëndoshjen e ekonomive dhe garantimin e mirëqenies. 

“Integrimi në ekonomi dhe zhvillimi i qëndrueshëm, infrastruktura dhe energjia, bujqësia dhe zhvillimi rural, mbrojtja e mjedisit, arsimi dhe kultura, mbrojtja sociale, tregjet financiare dhe sistemi bankar kërkojnë më shumë intensifikim bashkëpunimi mes vendeve tona”, deklaroi Ruçi. 

Më tej gjatë fjalës së tij, Ruçi tha: “Jetojmë në një kohë sfidash globale dhe vendet e Detit të Zi nuk janë të paprekshme prej tyre. Kjo e bën bashkëpunimin mes vendeve tona akoma dhe më të domosdoshëm. Me të vërtetë ne jemi një organizatë rajonale, por përgjegjësia jonë është evropiane dhe më tej është globale”. 

Në përfundim të fjalës së tij, Ruçi u shpreh se bashkërisht do të mbështesin qeveritë në përballjet me sfidat e vështira si varfëria, pabarazia, korrupsioni, emigracioni, krimi i organizuar, terrorizimi dhe ekstremizmi i dhunshëm. 

Presidencën e radhës së PABSEC-ut e merr Armenia. 

Turqia në takim u përfaqësua nga deputetët Ramazan Can, Tülay Kaynarca, Metin Gündoğdu, Özcan Ulupinar, si dhe zëvendëssekretari i Përgjithshëm i PABSEC-ut, Fuat Küçükaydın. 

PABSEC, si një organ konsultativ ndërparlamentar, siguron bazën ligjore për bashkëpunimin ekonomik, tregtar, social, kulturor dhe politik ndërmjet vendeve anëtare. 

Mbledhja e 51-të e PABSEC-ut i mbyll punimet më datë 21 qershor 2018. 

Vendet anëtare të PABSEC-ut janë Shqipëria Turqia, Rumania, Armenia, Bullgaria, Gjeorgjia, Azerbajxhani, Moldavia, Rusia, Serbia, Ukraina dhe Greqia./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi