Shqipëri, konferencë për financat e vetëqeverisjes vendore

Në Tiranë u mbajt konferenca kombëtare “Ligji për financat e vetëqeverisjes vendore-një vit më pas”, e cila kishte në fokus çështjet e financimit të njësive të vetëqeverisjes vendore, transparencën e financimeve dhe burimet e financimit.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministri i Financave dhe Ekonomisë i Shqipërisë, Arben Ahmetaj dhe kryetarët e njësive vendore në Shqipëri.

Në fjalën e tij, ministri Ahmetaj, duke folur për domosdoshmërinë e ligjit për financat vendore, tha se një nga reformat më të rëndësishme të Qeverisë së Shqipërisë është miratimi i reformës aministrativo-territoriale, e cila sipas tij ka objektiv kryesor fuqizimin e qeverisjes vendore.

“Qeveria shqiptare gjatë mandatit të saj të parë dhe të dytë tashmë ka ndërmarrë reforma të rëndësishme për jetën e qytetarëve dhe sipërmarrjes dhe njëra nga më të rëndësishmet është reforma aministrativo-territoriale. Objektivat kryesore të kësaj reforme janë fuqizimi i qeverisjes vendore, thellimi i decentralizimit, rritja e autonomisë financiare dhe fiskale të njësive të vetëqeverisjes vendore. Zbatimi i reformës administrative-territoriale ka vijuar me thellimin e procesit të decentralizimit, duke kaluar nga bashkitë e vendit kompetencat për disa funksione si arsimi parashkollor, arsimi i mesëm, shërbimi i mbrojtjes nga zjarri, rrugët rurale, administrimi i pyjeve, etj”, tha Ahmetaj.

Duke folur për ligjin e financave të vetëqeverisjes vendore, Ahmetaj tha se Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të nxisë ndryshimin e strukturës në drejtim të zvogëlimit të shpenzimeve të personelit.

Sipas tij ka ende punë për disiplinim të shpenzimeve administrative. “Autonomia nuk duhet të cenojë unitetin ekonomik dhe detyrimet e prapambetura ndaj të tretëve janë problem. Ne kemi një përpjekje disa vjeçare për t’i zeruar detyrimet e prapambetura dhe Ministria e Financave ka nxjerrë ndaj njësive vendore letrat zyrtare, ku i ka kërkuar mënyrën dhe kohën e shlyerjes së këtyre detyrimeve”, deklaroi Ahmetaj.

Ligji për Financat dhe Vetëqeverisjen Vendore i miratuar vitin e kaluar ka objekt përcaktimin e rregullave, të parimeve dhe procedurave të financimit të njësive të vetëqeverisjes vendore, përfshirë të ardhurat e veta nga taksat dhe tarifat vendore, taksat e ndara, transfertat nga Buxheti i Shtetit, si dhe të ardhurat e tjera të parashikuara me ligj.

Ky ligj ka për qëllim të sigurojë mënyrën e financimit të njësive të vetëqeverisjes vendore në përputhje me parimet e autonomisë vendore, të sanksionuara në Kushtetutën e Shqipërisë, Kartën Europiane për Vetëqeverisjen Vendore dhe ligjin për vetëqeverisjen vendore.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi