Shkup, kryeparlamentari Xhaferi takon kryeministrin grek Tsipras

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me kryeministrin e Republikës së Greqisë, Aleksis Tsipras, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Shkup.

Siç thuhet në një njoftim parlamentit, Xhaferi, duke e vlerësuar takimin si historik, i ka uruar kryeministrat Tsipras dhe Zoran Zaev për guximin dhe për hapat e ndërmarra me të cilat është tejkaluar kontesti ndërmjet të dyja vendeve dhe në këtë mënyrë është hapur rruga për integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut.

“Si parlament, i mbështesim të gjitha angazhimet për shndërrimin e bashkëpunimit kontraktues në projekte konkrete, që presim të marrin në intensitet në të ardhmen”, ka theksuar Xhaferi.

Ai ka sugjeruar në faktin se pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Prespës, vendoset korniza juridike e cila do të mundësojë bashkëpunim parlamentar në të gjitha bazat dhe në këtë drejtim i ka informuar të pranishmit për ftesën e dërguar kolegut të tij Nikollaos Vucis që të realizojë vizitë bilaterale në Maqedoninë e Veriut, si dhe për kërkesën e dërguar te pala greke për formimin e grupit për miqësi në Parlamentin e Greqisë me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Nga ana tjetër, Tsipras, duke falënderuar për mbështetjen e dhënë, ka theksuar se në periudhën e kaluar u miratuan vendime të mëdha dhe u ndërmorën hapa të mëdha, dhe në këtë kontekst, i ka uruar Xhaferit për qetësimin në mbajtjen e procedurës institucionale në lidhje me Marrëveshjen e Prespës, që e vlerësoi si proces të vështirë edhe për Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, edhe për Parlamentin e Greqisë.

Tsipras ka shprehur keqardhje për zbrazëtirën tredekadëshe ndërmjet të dyja parlamenteve dhe është shprehur se pret që Marrëveshja të hapë mundësinë për plotësimin e kësaj zbrazëtire. Ai e ka informuar Xhaferin për ofertën e marrë nga ana e kryetarit të Parlamentit të Greqisë, Nikollaos Vucis, dhe ka shprehur shpresë se kjo vizitë së shpejti do të realizohet.

Gjithashtu, kryeministri grek ka shprehur mbështetjen në formimin e grupit për miqësi në Parlamentin e Greqisë, i cili, siç thuhet në njoftimin e parlamentit, do të mundësojë shkëmbimin e ideve dhe përvojave dhe afrimin ndërmjet deputetëve të të dyja vendeve, që do të kontribuojë për afrimin edhe të qytetarëve të të dyja vendeve.

Tsipras ka dërguar urime për qeverinë e koalicionit, veçanërisht për kryeparlamentarin Xhaferi si përfaqësues i elementit shqiptar në vend për përfaqësimin adekuat të interesave të tij, si dhe në lidhje me mundësinë për shfrytëzimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Qeveria e Republikës së Greqisë ndërmori hapa për mbështetjen e proceseve eurointegruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sepse beson se kjo është rruga që do ta sigurojë paqen dhe stabilitetin që është me rëndësi edhe për popujt e këtyre vendeve”, ka thënë Tsipras.

Ai është shprehur se Greqia do të japë mbështetje serioze dhe do të jetë partner i besueshëm në realizimin e qëllimeve strategjike të Maqedonisë së Veriut.

Në lidhje me proceset eurointegruese, Xhaferi ka falënderuar për mundësinë që vendi të bëhet anëtare e Iniciativës Adriatike Joniane dhe që ka mundësuar kalimin në fazën e dytë të Procesit për Stabilizim dhe Asocim dhe e ka informuar bashkëbiseduesin për rrumbullakësimin e aktiviteteve reformuese të Kuvendit në lidhje me Planin 18, me çka pritet vendi të marrë edhe datë konkrete për fillim të negociatave për anëtarësim në BE në qershor të këtij viti.

Të dy bashkëbiseduesit kanë shprehur mbështetjen për proceset e ardhshme në lidhje me miratimin e rregullativës së nevojshme për zbatimin e projekteve që dalin nga Marrëveshja e Prespës, të cilat do të imponojnë mbështetje maksimale nga ana e të dyja parlamenteve.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi