Shkup, fillon takimi i liderëve të vendeve anëtare të Procesit Brdo-Brioni

Në Shkup ka filluar takimi i liderëve të vendeve anëtare të Procesit Brdi-Broni, pritës i të cilës këtë vit është presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.

Takimi i liderëve të vendeve anëtare të Procesit Brdo-Brioni filloi me një pritje solemne të pjesëmarrësve nga ana e presidentit maqedonas Ivanov, presidentes kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç dhe presidentit slloven, Borut Pahor, pas së cilës u realizua një foto familjare dhe liderët nisën seancën plenare të kësaj inciative.

Në takim të pranishëm janë edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, anëtari i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç si dhe presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç.

Në përputhje me praktikën e deritanishme të Procesit Brdo-Brioni, në takimin në Shkup si mysafirë nderi nga Bashkimi Evropian (BE) të pranishëm janë presidenti i Këshillit Evropian (KE), Donald Tusk dhe presidenti i Bullgarisë, Bojko Borisov.

Qëllimi i i këtij takimi është integrimi evropian i vendeve të rajonit dhe stabilizimi i situatës në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe tejkalimit të çështjeve të pazgjidhura.

Në fokus të takimit të sivjemë është nevoja për përmirësimin e lidhjes së ndërsjelltë në politikë, ekonomi, infrastrukturë dhe në siguri, ndërsa në kontekst do të jetë strategjia e re e BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Në kuadër të kësaj iniciative, për herë të parë në Shkup do të mbahet takim i drejtorëve të agjencive të inteligjencës së vendeve anëtare në Procesin Brdo-Brioni, të cilët do të diskutojnë për lidhjen e sigurisë, si segment i bashkëpunimit rajonal.

Kujtojmë se Procesi Brdo-Brioni për herë të parë u mbajt në vitin 2013 me iniciativën e presidentëve të Sllovenisë dhe Kroacisë. Iniciativa u emërua “Procesi Brdo-Brioni” për shkak të idesë së përbashkët të të dy presidentëve për organizimin e saj.

Vendet anëtare të Procesit Brdo-Brioni janë Kroacia, Sllovenia, Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi, të përfaqësuara nga presidentet e vendeve.

Brdo rrjedh nga Brdo pranë qytetit Kranj, ku edhe u mbajt takimi i parë i liderëve rajonalë dhe Brijuni në nder të bashkëorganizatorit dhe partnerit të krijimit të kësaj nisme, Kroacisë./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi