Shkencëtarët turq vazhdojnë hulumtimet e gjera në Antarktidë

Shkencëtarët turq nga një sërë fushash, përfshirë biologjinë, shkencat detare, biodiversitetin polar dhe ekologjinë, të cilët po marrin pjesë në një ekspeditë shkencore në Antarktidë, janë duke kryer studime të gjera në kontinentin e bardhë, i cili u ka ofruar një “laborator” për të bërë hulumtime të reja.

Brenda projekteve kërkimore në vazhdim në kontinentin më të ftohtë të botës, shkencëtarët turq kanë mbledhur mostra të shumta të florës dhe faunës lokale në kuadër të Ekspeditës së Tretë Shkencore të Turqisë.

“Këto mostra do të kthehen në Turqi për analiza”, tha për AA Ersan Başar, ligjërues nga Universiteti Teknik Karadeniz i Trabzonit.

“Çdo gjetje që ofrojnë këto mostra do të kontribuojë në kërkimin tonë të vazhdueshëm shkencor” tha ai.

Ndërkaq, Burak Karacık, ligjërues i Oqeanografisë dhe Inxhinierisë Detare në Universitetin Teknik të Stambollit (ITU), tha se në Antarktidë, ndër të tjera, janë duke analizuar edhe ndotjen që buron nga faktori njeri.

“Qëllimi ynë është të analizojmë ndotjen në Antarktidë, të mbledhim guaska, të shohim ndotësit e gjeneruar nga ndikimi i njeriut në guaskat që mbledhim dhe gjithashtu të marrim baltë nga fundi dhe të analizojmë këto mostrat të baltës”, theksoi Karacık.

Po ashtu, Selahattin Ünsal, biolog detar, tha se në kuadër të ekspeditës në Antarktidë është duke kryesuar dy studime.

Projekti i parë, tha ai, është të hulumtohet diversiteti biologjik përmes metodës së ADN-së mjedisore.

“Qëllimi ynë është të zgjerojmë bazën e të dhënave rreth Antarktidës dhe të pasurojmë njohuritë për diversitetin biologjik të saj”, u shpreh Ünsal.

Ndërkohë, projekti i dytë, sipas tij, përfshin studimin e tipareve gjenetike të një grupi të këmbënyjorëve të vegjël, për çka janë mbledhur mostra të këtyre gjallesave në pika të shumta të kontinentit.

Sedat Serçe, profesor në Fakultetin e Shkencave Bujqësore dhe Teknologjive në Universitetin Ömer Halisdemir në Niğde, tha se në kuadër të ekspeditës, kanë mbledhur mostra të shumta të bimëve, dheut dhe farave.

“Fillimisht, ne duam të punojmë në lidhje biodiversitetin te bimët që kemi përzgjedhur nga rajone të ndryshme. Pastaj duam të hulumtojmë ngjashmëritë dhe dallimet me speciet në vendin tonë duke bërë disa studime krahasuese”, tha Serçe.

Kujtojmë se një grup shkencëtarësh turq po marrin pjesë në Ekspeditën e Tretë Kombëtare në Antarktidë, e cila synon krijimin e bazave shkencore të Turqisë në kontinentin e bardhë.

Projekti, i mbështetur nga Presidenca e Turqisë, Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë dhe Qendra Kërkimore Polare e ITU-së, si dhe tetë universitete të tjera turke, synon kryerjen e studimeve shkencore gjatë 30 ditëve.

Misioni po ashtu ndiqet nga ekipi i AA-së i përbërë nga tre persona, gazetarja Dilara Zengin, fotoreporeterja Özge Elif Kızıl dhe kameramani Servet Ülkü.

Qendra e parë Kërkimore Polare e ITU-së u themelua në Antarktidë në vitin 2015.

Në prill të vitit 2016, ekipi i parë turk i studiuesve – 14 mjekë, botanistë, gjeologë dhe oqeanografë nga shtatë universitete – udhëtuan për në Antarktidë për të studiuar ndikimin e ndryshimeve klimatike.

Antarktida, kontinenti më i ftohtë në tokë, ka shërbyer si një zonë kërkimore shkencore që nga një traktat i vitit 1959. Turqia, e cila aktualisht ka status vëzhgues, synon të ketë status konsultativ në kontinent.

Temperatura më e ulët e regjistruar në kontinentin më të ftohtë në vitin 1983 ishte -89 gradë Celsius. Temperaturat arrijnë deri në -15 gradë Celsius gjatë verës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi