Shënohet Dita e komunitetit boshnjak në Kosovë

Boshnjakët e Kosovës duhet të luajnë një rol më të fortë në lidhjen e Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, u tha sot në pritjen me rastin e Ditës së komunitetit boshnjak në Kosovë.

Zv/kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka uruar të gjithë boshnjakët në Kosovë në ditën e tyre, duke thënë se boshnjakët gjatë gjithë historisë kanë qenë gjithmonë pjesë e një Kosove multietnike, multireligjioze dhe shumëgjuhëshe. Ai tha se boshnjakët tani janë pjesë aktive e shoqërisë kosovare nëpërmjet përfaqësuesve të tyre politikë në Kuvend dhe në Qeverinë e Kosovës.

Hoxhaj shtoi se për dhjetë vite të pavarësisë së Kosovës është bërë shumë, por ka ende shumë punë për t’u bërë.

“Por duhet të bëjmë që ata të integrohen në ekonominë e Kosovës, që të ketë më shumë vende të reja të punës për komunitetin boshnjak dhe që të mos jenë faktorët ekonomikë ata të cilët përcaktojnë të ardhmen e tyre. Natyrisht që ky komunitet nuk është vetëm pjesë e peizazhit të Kosovës multietnike, por është edhe një urë e fuqishme në mes të Kosovës dhe Bosnjës”, tha Hoxhaj.

Ai shprehu shpresën se boshnjakët e Kosovës në të ardhmen do të kenë një rol më të fortë në bashkëpunimin midis Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Ministri i Zhvillimit Rajonal nga komuniteti boshnjak Rasim Demiri theksoi se boshnjakët janë popull lojal dhe besnik në vendin e tyre, por që të mos harrojnë vëllezërit e tyre në Bosnjë e Hercegovinë dhe në vende të tjera në të cilat jetojnë.

“Sot, së bashku me fqinjët tanë, partnerët dhe të gjithë aktorët socialë të këtij vendi, ne po punojmë në zhvillimin e jo vetëm të komunitetit boshnjak, por edhe të gjithë Kosovës. Në këtë proces kemi mbështetjen e institucioneve të vendit tonë. Është e sigurtë se kemi probleme të mëdha me të cilat ballafaqohemi, nuk kemi asnjë garanci se nuk do të kemi probleme në të ardhmen, por është obligimi ynë t’i zgjidhim ato”, tha Demiri.

Deputetja nga radhët e komunitetit boshnjak në Kuvendin e Kosovës, Duda Balje, deklaroi se boshnjakët kanë përkrahjen e qeverisë, por se ende po luftojnë për komunën e tyre, si dhe për zgjidhjen e problemeve në arsim.

Në Kosovë, sipas regjistrimit të fundit të vitit 2011, jetojnë rreth 27 mijë boshnjakë. Për ditën e tyre kombëtare, ata zgjodhën 28 shtatorin, datën kur në Sarajevë 25 vjet më parë u kthye emri kombëtar boshnjak./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi