Shekerinska pret shumicë prej dy të tretave për Ligjin për Mbrojtje

Zv/kryeministrja dhe ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, bashkë me ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar, Rachel Galloway, kanë marrë pjesë në punëtorinë e NATO-s.

Në punëtorinë, përfaqësuesit e delegacionit të Mbretërisë së Bashkuar shkëmbyen përvojat dhe praktikat në përshtatjen e proceseve të punës të Misionit të Përhershëm të Maqedonisë së Veriut në NATO, ndërsa fjalime kishin edhe ministrja dhe ambasadorja.

Në një deklaratë për mediat, ministrja Shekerinska tha se Maqedonia e Veriut po bënte hapat e fundit në përgatitjet për anëtarësimin në NATO.

Ajo tha se pret që protokolli i anëtarësimit brenda disa javëve të ratifikohet në Spanjë, vendi i fundit anëtar i NATO-s që duhet të ratifikojë protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut.

Shekerinska gjithashtu tha se pret ratifikimin edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, duke përmendur 11 shkurtin si një datë të mundshme.

Në Maqedoninë e Veriut janë planifikuar zgjedhje të parakohshme parlamentare më 12 prill, ndërsa sipas dispozitave kushtetuese, Kuvendi duhet të shpërndahet 60 ditë para ditës së zgjedhjeve.

“Së bashku me ratifikimin, ne presim që Kuvendi të mbështesë me shumicë prej dy të tretave edhe Ligjin për Mbrojtje, andaj dua të shfrytëzoj këtë mundësi dhe të them se arsyetimet më nuk janë më të pranueshme. Ligji për Mbrojtje është realizimi i ëndrrës sonë shtetërore”, tha Shekerinska.

Duke theksuar marrëdhëniet e forta dypalëshe dhe të sigurisë me Maqedoninë e Veriut, ambasadorja Galloway tha se Mbretëria e Bashkuar mbështet integrimin euroatlantik të vendit.

“Maqedonia e Veriut tashmë po luan rolin e saj në NATO, ndërsa tani do të marrë vendin e saj të merituar në strukturat vendimmarrëse, siç e kemi parë të gjithë, në momentin krenar të valvitjes së flamurit të Maqedonisë së Veriut në samitin e NATO-s në Londër në muajin dhjetor”, tha Galloway.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi