SHBA akuzon Iranin për “shkeljen e sanksioneve të OKB-së”

\

Përfaqësuesja e Përhershme e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley akuzon Iranin se ka shkelur rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së me dërgimin e armëve në Lindjen e Mesme, për mos zbatimin e kufizimeve të udhëtimeve si dhe për mbështetje ndaj organizatave terroriste dhe destabilizimin e rajonit.

Haley kritikoi Iranin në një deklaratë me shkrim para takimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku është diskutuar mbi raportin përfundimtar të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për zbatimin e rezolutës 2231 të KS-OKB-së në lidhje me marrëveshjen bërthamore të Iranit nga e cila u tërhoq SHBA-ja.

Guterres në raportin e tij që i ka dërguar KS të OKB-së ka theksuar se kanë gjetur të dhëna se janë prodhuar në Iran disa pjesë të raketave që rebelët Huthi në Jemen kanë lëshuar drejt Arabisë Saudite.

“Irani ka shkelur rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së duke dërguar armë në Lindjen e Mesme, duke sfiduar sanksionet e udhëtimeve si dhe destabilizm të rajonit me mbështetje për organizatat terroriste”, deklaroi Haley.

Ajo tha se edhe në raportin e OKB-së ka prova të forta se Irani ka shkelur sanksionet e KS të OKB-së. “SHBA-ja nuk do të lejojë që shkeljet dhe veprimet shkatërruese të Iranit të mbeten të pakontrolluara. U bëjmë thirrje edhe anëtarëve të KS të OKB-së që ta bëjnë këtë”, tha Haley.

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) në KS të OKB-së kanë mbrojtur idenë se testet e raketave nuk janë të lidhura me marrëveshjen bërthamore të Iranit dhe se marrëveshja duhet të respektohet.

Përfaqësuesi i përhershëm i BE-së në OKB Joao Vale de Almeida, duke folur në KS në emër të Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, Federica Mogherini tha se BE-ja është e shqetësuar nga programi raketor dhe aktivitetet ushtarake të Iranit në rajon por se kjo situatë nuk ka lidhje me marrëveshjen bërthamore.

Ndërsa përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia tha se në raportin e OKB-së gjetjet në lidhje me Iranin nuk janë konfirmuar. Ai e ka kritikuar këtë raport.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi