SFIDAT DHE SHPËTIMI I KOSOVËS NGA ZGJEDHA JUGOSLLAVE

 

 

 

Për dallim nga vitet e ’70-ta, në vitet e ’80-a Kosova, në të shumtën e rasteve, ndodhej në shtetrrethim. Qeveria e Serbisë, e përkrahur nga nacionalistët serbë që jetonin në Kosovë, filloi një fushatë të egër kundër popullsisë shqiptare. Gjatë këtyre viteve shqiptarët u burgosën, u vranë, u zhdukën, u larguan më dhunë nga shtëpitë e tyre. Të lodhur nga kjo gjendje, më 11 dhe 26 mars të vitit 1981 shpërthyen demonstratat studentore të Universitetit të Kosovës.

Shkruan: Artan S. MEHMETI

Pas shumë përpjekjeve dhe luftërave për autonomi dhe pavarësi nga Perandoria Osmane, më 28 nëntor 1912 u shpall pavarësia e Shqipërisë. Por, fatkeqësisht në Konferencën e Londrës, që është mbajtur në dhjetor 1912, nga Fuqitë e Mëdha (Britania, Gjermania, Rusia, Austro-Hungaria, Franca dhe Italia) u vendos copëtimi i trojeve shqiptare, me ç’rast Kosova dhe disa pjesë të tjera shqiptare iu dhanë Serbisë. Territori i sotëm i Kosovës, i pushtuar nga Serbia dhe Mali i Zi, iu aneksua këtyre dy vendeve, të cilat ndoqën fushatë për asimilimin e popullsisë shqiptare dhe kolonizimin e tokave të tyre. Edhe pse populli shqiptar luftoi përkrah forcave aleate gjatë Luftës së Parë Botërore, duke arritur të fitojnë përkrahjen e presidentit paqedashës të SHBA-ve, Woodrow Wilson, vendimet e Kongresit të Paqes së Versajës, të mbajtur nga 18 janari deri më 28 qershor 1919, e mundësuan ripushtimin e Kosovës nga Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene, e quajtur më vonë Jugosllavi.

Në vitin 1941 Mbretëria Jugosllave pushtohet nga forcat e Boshtit, ndërsa territori i Kosovës u nda midis forcave italiane, bullgare dhe gjermane. Pjesa më e madhe e Kosovës në këtë kohë ishte nën sundimin italian, të cilët këtë pjesë ia bashkuan Shqipërisë. Nga 31 dhjetori i vitit 1943 e deri më 3 janar të vitit 1944 u mbajt Konferenca e Bujanit, si përpjekje e popullsisë shqiptare për vetëvendosje. Kjo konferencë hartoi një rezolutë, me të cilën – pas mbarimit të luftës – shqiptarët të kishin të drejtë për vetëvendosje në mënyrë që të bashkohen me Shqipërinë, ndërsa gjatë luftës forcat shqiptare të Kosovës të luftonin përkrah forcave komuniste jugosllave. Por, pas mbarimit të luftës kërkesat e shqiptarëve nuk u morën parasysh nga qeveria komuniste jugosllave.

Më 1945 forcat komuniste shqiptare hynë në Kosovë për t’u ndihmuar forcave komuniste jugosllave për ta larguar pushtuesin nazist nga këto troje. Këto forca nuk i kushtuan fare vëmendje çështjes shqiptare në Kosovë, duke lejuar rianeksimin e Kosovës nga Serbia, që në këtë kohë ishte shpallur republikë anëtare e Jugosllavisë. Më këtë aneksim tashmë nga Republika Socialiste e Jugosllavisë (RSFJ), qëndresa shqiptare e Kosovës u tradhtua nga të dyja anët, si nga forcat komuniste shqiptare, ashtu dhe nga forcat komuniste jugosllave, të cilët shkatërruan shumë fshatra, duke vrarë e masakruar shumë civilë, njëlloj si paraardhësit e tyre nga Mbretëria Jugosllave. Këto shtypje nga ana e nacionalistëve serbo-jugosllave e rënduan tejmase jetesën normale të popullsisë shqiptare në trojet e tyre jo vetëm në Kosovë, por në përgjithësi edhe të trojeve shqiptare që mbetën nën Jugosllavi. Të nisur nga këto arsye, lëvizjet studentore, së bashku me udhëheqësit politikë të Kosovës, u munduan të bëjnë trysni tek autoritet qendrore jugosllave që t’i ndalojnë vrasjet, përndjekjet, persekutimet e burgimet, duke kërkuar përmirësimin e pozitës së popullsisë shqiptare. Kërkesat nuk u realizuan dhe nuk u morën parasysh. Si pasojë e kësaj, më 28 nëntor të vitit 1968 shpërthyen demonstratat e studentëve shqiptarë, të cilët kërkonin të drejtat e tyre kombëtare, përdorimin e gjuhës shqipe dhe të flamurit kombëtar.

Si rezultat i demonstratave të vitit 1968, Kosovës i lejohet ta këtë Kushtetutën e saj. Në vitin 1969 hartohen ligjet e para të Kushtetutës së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, kurse në vitin 1974 u hartua Kushtetuta e Krahinës Socialiste Autonome (KSA) të Kosovës, së bashku më Kushtetutën e re të RSFJ-së, që Kosovën e lanë pjesë të Republikës Socialiste të Serbisë, mirëpo duke e ngritur ndjeshëm në aspektin politik, ekonomik, social, arsimor, si dhe duke i dhënë të drejtë vote në organet qendrore federative. Gjatë viteve të ’70-ta shqiptarët gëzuan edhe shumë të drejta të tjera. Në vitin 1970 u themeluan: Universiteti i Kosovës, Akademia e Arteve dhe Shkencave, si dhe Radiotelevizioni i Prishtinës (RTP). Këto të drejta, si dhe shumë të drejta të tjera, u mundësuan shqiptarëve të Krahinës ngritjen e nivelit arsimor, intelektual, kulturor, si dhe një zhvillim të mëtejshëm.

Për dallim nga vitet e ’70-ta, në vitet e ’80-a Kosova, në të shumtën e rasteve, ndodhej në shtetrrethim. Qeveria e Serbisë, e përkrahur nga nacionalistët serbë që jetonin në Kosovë, filloi një fushatë të egër kundër popullsisë shqiptare. Gjatë këtyre viteve shqiptarët u burgosën, u vranë, u zhdukën, u larguan më dhunë nga shtëpitë e tyre. Të lodhur nga kjo gjendje, më 11 dhe 26 mars të vitit 1981 shpërthyen demonstratat studentore të Universitetit të Kosovës. Më 2 prill 1981 Beogradi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë dhe ndaloi qarkullimin e mbi dy vetave së bashku në vendet publike. Kjo qeveri ndërpreu mësimin në shkollat fillore, në ato të mesme, si dhe në universitete, ndërsa i mbylli konviktet e studentëve dhe të nxënësve në Prishtinë. Masa të njëjta u ndërmorën edhe në komunat e tjera të Kosovës. Demonstratat vazhduan përgjatë viteve të ’80-ta, nga të cilat shumë veprimtarë shqiptarë u burgosën dhe të tjerë u detyruan ta braktisin vendin. Edhe pas shtetrrethimit, që u vu menjëherë pas fillimit të demonstratave, si dhe shtypjeve të egra që i bëheshin popullsisë shqiptare nga forcat serbo-jugosllave, qeveria jugosllave me udhëheqësin e ri Sllobodan Millosheviq nuk u mjaftuan me kaq, por së bashku me nacionalistët serbë në vitin 1987 organizuan në Fushë Kosovë një komplot kundër autonomisë së Kosovës dhe popullsisë shqiptare. Agjentët serbë i fajësuan shqiptarët për “jetën e vështirë të serbëve në Kosovë dhe sulme të vazhdueshme ndaj pranisë së tyre në këtë trevë; akuza ishte se shqiptarët po tentonin të kryenin spastrim etnik”.

Regjimi i Sllobodan Millosheviqit, edhe pas komplotit kundër autonomisë së Kosovës, vazhdoi me burgosjen e udhëheqësve, intelektualëve, mësuesve, si dhe mbarë popullsisë shqiptare. Duke mos u mjaftuar me kaq, ky regjim më 23 mars të vitit 1989, më ndihmën e forcave policore dhe ushtarake, duke ia imponuar votën deputetëve shqiptarë, si dhe me një numërim të votave në mënyrë jodemokratike dhe jotransparente, Kosovës ia hoqi autonominë, e cila ia garantonte popullsisë së Kosovës disa të drejta, duke e kthyer kështu Kosovën në pjesë përbërëse të Serbisë. Shuarja e autonomisë shënonte fillimin e serbizimit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë paraqiste hyrje në një periudhë tepër të rëndë për shqiptarët, të cilët po trajtoheshin jo vetëm si qytetarë të rendit të dytë, por edhe po u nënshtroheshin torturave sistematike nga regjimi kriminal serb. Po në ketë vit forcat e armatosura serbe hynë në Kosovë, duke e mbajtur atë të pushtuar për dhjetë vjet më radhë.

Në kushtet e okupimit serb, më 2 korrik 1990, deputetët e KSA të Kosovës, të ndaluar të hyjnë në godinën zyrtare, e lexuan Deklaratën e Pavarësisë, duke e shpallur kështu Kosovën Republikë, anëtare të federatës jugosllave. Shpallja e pavarësisë u pasua edhe me miratimin e Kushtetutës më 7 shtator të po atij viti. Ishte kjo koha kur në horizont tashmë dukej shpërbërja e qartë e ish RSFJ-së, krijesë kjo artificiale dhe krejtësisht antishqiptare, e dominuar nga ambiciet dhe politika hegjemoniste serbe. Në këto procese rol kyç luajtën forcat politike të Kosovës, që sapo ishin themeluar, në veçanti Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e udhëhequr nga Dr. Ibrahim Rugova. Në tetor të vitit 1991 u zhvillua referendumi mbarëpopullor, që zyrtarisht e shpalli Kosovën shtetet të pavarur dhe sovran, ndërsa president i parë i Republikës së Kosovës u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova. Ndërkaq qeveria ishte në mërgim në krye me kryeministrin Bujar Bukoshi. Më 24 Maj 1992 u zhvilluan zgjedhjet presidenciale, ku president u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova, që ishte edhe kryetar i LDK-së. Rugova zgjodhi rrugën e rezistencës paqësore për të arritur deri te pavarësia e shtetit të Kosovës.

Prej shpalljes së pavarësisë e deri në fillimin e luftës së viteve 1997-1999 në gjithë Kosovën u organizuan demonstrata popullore. Kjo kohë për popullsinë shqiptare ishte shumë e vështirë, për arsye se çdo ditë u arrestuan, torturuan, burgosën dhe u vranë, në mënyrën më çnjerëzore, me dhjetëra civilë të pafajshëm shqiptarë. Në këtë kohë u mbyllen shkollat, u larguan punëtorët shqiptarë nga administrata shtetërore dhe publike, si dhe nga fabrikat, duke e vështirësuar tejmase jetën e popullsisë shqiptare. Kjo ishte një politikë që shqiptarët të largoheshin nga Kosova. Në gusht të vitit 1997, UÇK-ja merr mbi vete përgjegjësinë kundër sulmeve serbe dhe bashkëpunëtorëve të tyre, ndërsa më 28 nëntor të po këtij viti në fshatin Llaush të Skënderajt për herë të parë UÇK-ja del publikisht. Më 28 shkurt të vitit 1998, ushtria dhe paramilitaret serbë organizuan sulmin në fshatrat Likoshan dhe Qirez të Drenicës. Kjo datë njihet edhe si fillimi i luftës në Kosovë. Në vitet 1998-1999 ushtria serbe kreu gjenocid të tmerrshëm, duke vrarë dhe masakruar rreth 15 mijë civilë shqiptarë, shumica gra e fëmijë, duke dëbuar me dhunë edhe rreth 1 milion civilë. Gjatë kësaj kohe janë zhdukur edhe rreth 5,000 njerëz. Fati i shumicës së tyre është zbardhur, mirëpo edhe shumë të tjerë nuk dihen. Për ta ndaluar këtë luftë të përgjakshme e jo të drejtë, më 6 shkurt të vitit 1999 i filloi punimet Konferenca e Rambujesë, afër kryeqendrës franceze Parisit. Pasi që këto bisedime përfunduan pa sukses, pas refuzimit të presidentit të RSFJ-së, Sllobodan Millosheviq, që ta pranonte marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare, më 24 mars të vitit 1999 forcat e NATO-s fillojnë bombardimet kundër trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare. Po në këtë vit Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, që juridikisht Kosovën e mban si pjesë të Jugosllavisë, mirëpo nën protektorat ndërkombëtar. Sipas kësaj rezolute, OKB-ja ka përgjegjësinë për administratën civile, kurse NATO-ja për sigurinë në Kosovë. Që prej vitit 1999 e dreri më 2008 Kosova u drejtua nga qeveria vetëqeverisëse e Kosovës, mirëpo nën protektoratin ndërkombëtar UNMIK (Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara në Kosovë).

Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij për zgjidhjen e statusit të Kosovës në Prishtinë dhe Beograd.

Më 17 shkurt Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia. Një ditë pas shpalljes filluan edhe njohjet e para nga shtetet e ndryshme, të botës të cilat janë anëtare në OKB-së. Shteti i parë që e ka njohur është Afganistani, i pasuar nga Shqipëria, Turqia, SHBA-të, Gjermania etj. Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova është bërë anëtare në shumë organizata ndërkombëtare, siç janë Banka Botërore, FIFA, UEFA etj. Procesi i njohjeve dhe anëtarësimi nëpër organizata ende vazhdon, pra edhe pas 10 vjetëve të shpalljes së pavarësisë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi