“Serbia po shet armë në Afrikë për qëllime politike”

Ministria e Jashtme e Kosovës i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të mbikëqyrë shitjen e armëve nga Serbia në vende të Afrikës dhe shpërdorimin e tyre për qëllime politike. 

Në deklaratën e lëshuar prej saj shprehet “shqetësimi i thellë I lidhur me dëshmitë tronditëse nga organizata të besueshme ndërkombëtare, siç është “Amnesty International”, se armatimi i prodhuar në shtetin serb vazhdon të përdoret nga disa shtete afrikane, të cilat bëjnë shkelje sistematike të të drejtave të njeriut e madje përdoren edhe nga luftëtarët e grupit terrorist Boko Haram”.

Prishtina zyrtare thotë se publikimi i dëshmive të tilla forcon bindjen se Serbia ka përdorur dhe po e përdor shitjen dhe faljen e armëve si mjet të diplomacisë për të joshur disa shtete te kontinentit afrikan, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që mos të ndërmarrin një hap të tillë.

Qëndrimi i qeverisë kosovare pason shkrimet, sipas të cilave “Amnesty International”, i ka kërkuar Beogradit t’i japë fund eksportimit të armëve në Kamerun. Zyrtarë të kësaj organizate pohuan për rrjetin investigative BIRN se ky vend i ka përdorur armët serbe në një model të “shkeljeve sistematike” të të drejtave të njeriut.

Patrick Wilcken, nga “Amnesty International”, citohet të ketë thënë se një video ku shihet ekzekutimi i dy grave dhe dy fëmijëve të vegjël në Kamerun dëshmon përdorimin e armëve të prodhuara në Serbi. Në shtator të vitit 2017, po BIRN-i raportoi se armë të tipit Kojota, të prodhuara ne fabrikën Zastava të qytetit te Kragujevcit në Serbi, janë parë në Nigeri dhe mendohet se janë përdorur nga militantët e grupit Boko Haram./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi