Salah: Ky është vetëm fillimi im në Liverpool

Futbollisti i shkëlqyeshëm egjiptian, Mohamed Salah, për mediat britanike deklaroi se sezoni i mrekullueshëm të cilit ngadalë po i vjen fundi, është vetëm fillimi i tij në Liverpool, me çka në mënyrë indirekte i mohoi thashethemet për kalimin e tij të mundshëm në Real Madrid.

Salah për shkak të paraqitjeve të tij superiore u shpall lojtari më i mirë i sezonit në Angli, dhe të enjten në Londër, atij në mënyrë solemne iu dha çmimi i madh.

“Jam shumë i lumtur këtu, gjithçka është në rregull. Natyrisht, kam ambicie që lidhen me të ardhmen në Liverpool. Siç shihet, kemi pasur një sezon të shkëlqyeshëm, tani na pret finalja e Ligës së Kampionëve dhe jemi shumë të emocionuar. Ky është vetëm fillimi. Ky është sezoni im i parë këtu, si dhe për disa lojtarë të tjerë. Pra, ky është vetëm fillimi”, ka thënë Salah.

Megjithëse kanë arritur në finalen e Ligës së Kampionëve, Liverpooli ende nuk ka siguruar një vend në garën e elitës evropiane në sezonin e ardhshëm përmes Premier Ligës.

“Jemi të bindur se do të luajmë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Në rrugën drejt finales, ne kemi fituar skuadra të mëdha si Manchester City dhe Roma. Duam të kualifikohemi në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm përmes Premier Ligës dhe pastaj edhe të triumfojmë në finale. Kundër Real Madridit do të luajmë për fitore”, përfundoi Salah.

Sulmuesi superior i përfaqësueses së Egjiptit në Liverpool erdhi verën e kaluar nga Roma për 42 milionë euro, që me bonuset mund të rritet në 50 milionë. Me klubin nga Anfield kontratë ka lidhur deri në verën e vitit 2022. Në sezonin e parë për “redsat” ai luajti 50 ndeshje dhe shënoi 43 gola./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi