Rusia akuzon SHBA-të se po provokojnë luftë me Iranin

Zv/ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Ryabkov, sot tha se SHBA-të po ndjekin një “politikë të qëllimshme” për të provokuar luftë me Iranin.

Ryabkov tha se Moska po ndjek nga afër zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe se i cilëson veprimet amerikane kundër Iranit si “provokuese”.

“Ne për një kohë të gjatë kemi parë përpjekje të vazhdueshme nga SHBA-të për të rritur presionin politik, psikologjik, ekonomik dhe ushtarak ndaj Iranit. Veprimet e këtilla mendoj se janë mjaft provokuese. Ato nuk mund të cilësohen ndryshe pos si politikë e qëllimshme e provokimit të luftës”, tha ai.

Më herët, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha se Washingtoni zyrtar po shqyrtonte të gjitha mundësitë për të kundërshtuar Iranin në rajon, duke përfshirë edhe mundësinë e intervenimit ushtarak.

Tensionet u përshkallëzuan mes SHBA-ve dhe Iranit që nga viti i kaluar, kur administrata amerikane në mënyrë të njëanshme u tërhoq nga marrëveshja bërthamore mes Iranit dhe 5 anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së plus Gjermanisë.

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka bërë disa veprime për të fundosur marrëveshjen, përfshirë edhe rivendosjen e sanksioneve amerikane ndaj naftës iraniane.

Në kundërpërgjigje, Teherani zyrtar u zotua se do të vazhdojë të eksportojë naftë përkundër sanksioneve amerikane dhe u kërcënua se do të mbyllë Ngushticën e Hormuzit nëse privohet nga përdorimi i rrugës detare strategjike.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi